
Protestat studentore që kanë përfshirë Francën prej ditësh janë përshkallëzuar këtë të mërkurë, me incidente, përplasje me policinë dhe arrestime në disa qytete të vendit.
Në Lyon, protestuesit kanë djegur kazanë mbeturinash, ndërsa forcat e policisë janë pozicionuar në zonat ku janë zhvilluar grumbullimet. Sipas mediave lokale, 14 persona janë arrestuar në qytet.
Edhe në Lille janë shënuar incidente, ku protestuesit kanë djegur kazanë mbeturinash, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Prani e shtuar e forcave të rendit është raportuar gjithashtu në Lyon, ndërsa studentë janë mbledhur pranë institucioneve arsimore në Lille dhe në Saint-Denis, në veri të Parisit.
Bilanci i protestave është rënduar edhe nga numri i të plagosurve. Ministri francez i Arsimit, Edouard Geoffrey, deklaroi se që prej nisjes së protestave janë plagosur 76 persona, mes studentëve dhe stafit arsimor.
“Që nga fillimi i këtyre protestave, ka pasur 76 të plagosur, si midis studentëve ashtu edhe midis stafit”, tha Geoffrey për radion RTL.
Protestat dhe bllokadat nisën javën e kaluar dhe u përkuan me një grevë më të gjerë të sektorit publik të martën. Ato janë shndërruar në një prej pikave të tensionit politik në Francë, në një kohë kur qeveria po përballet me presion të shtuar për shkak të financave publike.
Të enjten, qeveria pritet të prezantojë buxhetin e Francës për vitin 2027, i cili pritet të përmbajë masa për shkurtimin e shpenzimeve dhe uljen e presionit mbi financat publike. (A2 Televizion)