Edhe kafshët e egra po ia mbathin nga Karteli i Sinaloas

Nga A2 CNN
23 Maj 2025, 09:14 | Bota

Edhe kafshët e egra po ia mbathin nga Karteli i Sinaloas

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në shtetin Sinaloa të Meksikës, ku dhuna e përshkallëzuar dhe krimi i organizuar kanë detyruar mbylljen e një strehimoreje për kafshë dhe zhvendosjen e më shumë se 700 kafshëve në një vend më të sigurt. Strehimorja “Ostok” në qytetin Culiacan u detyrua të mbyllet për shkak të kërcënimeve, grabitjeve dhe përpjekjeve për zhvatje nga grupet kriminale.

Kafshët, mes të cilave kishte elefantë, luanë, tigra, krokodilë, strucë, majmunë dhe madje edhe hipopotamë, u zhvendosën në qytetin Mazatlan, rreth 212 kilometra larg, në një vend të quajtur “Bioparque El Encanto”, shkruan A2 CNN. Sipas drejtorit të strehimores, Ernesto Zazueta, kjo është zhvendosja më e madhe e kafshëve të egra në historinë e Meksikës për shkak të dhunës.

Edhe kafshët e egra po ia mbathin nga Karteli i Sinaloas

“Nuk kishim pasur probleme më parë, por situata në Culiacan është përkeqësuar aq shumë saqë nuk mund të shkonim më as te strehimorja. Na dëbuan pothuajse me forcë”, u shpreh Zazueta për CNN.

Vendimi për mbylljen e strehimores u mor pasi një nga elefantët, me emrin Viki, pati një problem në këmbë dhe asnjë veteriner nuk pranoi të udhëtonte drejt Culiacan për ta ndihmuar për shkak të rrezikut të lartë.

Zazueta dhe ekipi i tij, me ndihmën e vullnetarëve dhe organizatave mbështetëse, bënë të mundur një operacion të vështirë dhe historik për t’i dhënë kafshëve një strehë më të sigurt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos