Dy aeroplanmbajtëse amerikane në lëvizje. Raketa balistike të vendosura nëntokë. Stërvitje ushtarake në Ngushticën e Hormuzit. Kërcënime për ndryshim regjimi. Në vetëm pak javë, marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit është zhvendosur nga diplomacia e ftohtë në prag të përplasjes së hapur. Por a është kjo rrugë drejt luftës… apo një presion maksimal për një marrëveshje të re bërthamore?
Në Teheran, mes turmave që brohorisnin “Vdekje Amerikës”, udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, lëshon një mesazh të drejtpërdrejtë për Uashingtonin.
“Nëse amerikanët nisin një luftë, këtë herë do të jetë një luftë rajonale”, tha Ali Khamenei. Një paralajmërim i qartë: çdo sulm ndaj Iranit nuk do të mbetet i izoluar. Ai mund të përfshijë Gjirin, Izraelin, bazat amerikane në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
Nga Florida, presidenti amerikan Donald Trump zgjedh një ton sfidues, por të llogaritur.
“Ne kemi anijet më të mëdha dhe më të fuqishme në botë shumë pranë… Shpresojmë të bëjmë një marrëveshje. Nëse jo, do ta shohim nëse ai kishte të drejtë”, tha Trump.
Mesazhi është dyplanësh: dera e negociatave mbetet e hapur, por fuqia ushtarake është aty, shumë pranë brigjeve iraniane.
Në fillim të shkurtit, tensioni kalon nga fjalët në terren. Një dron iranian afrohet pranë aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln në Detin Arabik. Sipas ushtrisë amerikane, ai u rrëzua pasi u konsiderua kërcënim. Pamjet nga kuverta tregojnë avionë që ngrihen e ulen me ritëm lufte.
Një ditë më vonë, më 5 shkurt, Teherani kundërpërgjigjet me demonstrim force. Media shtetërore njofton vendosjen e raketës balistike “Khorramshahr 4”, me rreze 2 mijë kilometra — një raketë që mund të arrijë Izraelin dhe bazat amerikane në rajon. Një sinjal se karta ushtarake është mbi tavolinë.
Në sfond zhvillohet diplomacia. Në Muskat, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi takohet me ministrin e Jashtëm të Omanit. Në një takim paralel, emisari amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner zhvillojnë bisedime të ndara. Irani shprehet i gatshëm për negociata, por jo nën kërcënim.
“Nëse zgjedhin diplomacinë, ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Nëse flasin me forcë, ne do të përgjigjemi me forcë”, tha Abbas Araqchi.
Më 11 shkurt, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaron se Irani është i gatshëm të lejojë inspektim ndërkombëtar të programit bërthamor.
“Nuk po kërkojmë armë bërthamore. Jemi gati për çdo lloj inspektimi”, tha Masoud Pezeshkian.
Por Teherani refuzon kategorikisht përfshirjen e programit të raketave balistike në negociata — një vijë e kuqe që e bën marrëveshjen më të vështirë.
Më 13 shkurt, retorika përshkallëzohet. Në një fjalim para trupave amerikane, Trump sugjeron se “ndryshimi i regjimit” në Iran mund të jetë zgjidhja më e mirë.
“Duket sikur kjo do të ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhë”, tha Trump.
SHBA dërgon edhe aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald R. Ford, drejt Lindjes së Mesme. Satelitët konfirmojnë praninë e “Abraham Lincoln” pranë Omanit. Baza ajrore në Azore riaktivizohet. Forcat amerikane rrisin prezencën në rajon në nivelin më të lartë prej vitesh.
Teherani ndërkohë zhvillon stërvitje në Ngushticën e Hormuzit dhe më pas manovra të përbashkëta me Rusinë në Detin e Omanit.
Nga Izraeli, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaron:
“Nëse ajatollahët bëjnë gabimin të na sulmojnë, do të përjetojnë një përgjigje që nuk mund ta imagjinojnë”, u shpreh Netanyahu.
Rajoni përgatitet për çdo skenar. Më 19 shkurt, Trump vendos një ultimatum, duke i dhënë kohë Republikës Islamike 10 deri në 15 ditë për një marrëveshje.
“Ose do të bëjmë marrëveshje, ose do të jetë e pafat për ta”, tha Trump.
Irani kërcënon me goditje ndaj bazave amerikane nëse sulmohet. Ndërkohë, në rrugët e Teheranit dëgjohen dy realitete: thirrje kundër regjimit… dhe thirrje “Rroftë mbreti”. Brenda vendit, tensionet sociale shtojnë presionin mbi regjimin, ndërsa jashtë, kërcënimi ushtarak afrohet.
(A2 Televizion)