Pas skandalit Epstein, jep dorëheqjen presidenti i Forumit Ekonomik Botëror

Nga Erjon Dervishi
26 Shkurt 2026, 22:05 | Bota

Pas skandalit Epstein, jep dorëheqjen presidenti i Forumit Ekonomik

Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, Børge Brende, ka njoftuar dorëheqjen e tij pas një hetimi nga forumi mbi lidhjet e tij me abuzuesin seksual Jeffrey Epstein. 

Brende tha të enjten se vendimi i tij për t'u larguar pas më shumë se tetë vitesh në këtë rol erdhi "pas një shqyrtimi të kujdesshëm". 

“Jam mirënjohës për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me kolegët, partnerët dhe zgjedhësit e mi, dhe besoj se tani është momenti i duhur që Forumi të vazhdojë punën e tij të rëndësishme pa shpërqendrime”, tha ai në një deklaratë. 

Forumi Botëror i Ekonomisë Botërore, i njohur për samitin e tij vjetor në Davos të Zvicrës çdo janar, nisi hetimin në fillim të këtij muaji pas publikimit të miliona dosjeve mbi abuzuesin e  me vajza të mitura Epstein nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, shkruan A2 CNN.

Brende është figura e fundit e profilit të lartë që është përfshirë në pasojat e publikimit të dosjeve të Epstein, pas vendimit të ish-sekretarit të Thesarit të SHBA-së Laërence Summers këtë javë për të dhënë dorëheqjen nga roli i tij si mësimdhënës në Universitetin e Harvardit. Hillary Clinton, ish-sekretarja e shtetit dhe zonja e parë e SHBA-së, do të dëshmojë të enjten para hetimit të ligjvënësve të kongresit amerikan ndaj Epstein. Ndërkohë, ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, Lord Peter Mandelson, u arrestua me dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike. Ai është liruar me kusht dhe mohon çdo shkelje, shkruan A2 CNN.

Në një deklaratë, bashkëkryetarët e WEF, André Hoffmann dhe Larry Fink, thanë për dorëheqjen e Brende: “Dëshirojmë të shprehim vlerësimin tonë të sinqertë për kontributet e rëndësishme të Børge Brende në Forumin Ekonomik Botëror. Përkushtimi dhe lidershipi i tij kanë qenë të rëndësishëm gjatë një periudhe vendimtare reformash për organizatën, duke çuar në një takim të suksesshëm vjetor në Davos. Ne e respektojmë vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen.”

Pasoja ka pasur edhe për ish-Kryeministrin e Norvegjisë, Thorbjørn Jagland, i cili është nën hetim për korrupsion lidhur me zbulimet në dosjet e Epstein. Ai së fundmi është shtruar në spital ku besohet se ka tentuar të vrasë veten. 

Jagland, 75 vjeç, është shtruar në spital “për shkak të stresit që lindi pas këtij rasti”, sipas një deklarate të transmetuar të hënën nga avokati i tij, Anders Brosveet në Elden Law Firm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos