Sulmet e SHBA në Jemen, rebelët Huthi raportojnë për të paktën 38 viktima

Nga A2 CNN
18 Prill 2025, 09:09 | Bota

Sulmet e SHBA në Jemen, rebelët Huthi raportojnë për të

Ushtria amerikane tha se ka shkatërruar një port kyç të karburanteve në Jemen, që ishte nën kontrollin e rebelëve Huthi. Sipas rebelëve jemenas, nga sulmet ajrore amerikane janë vrarë të paktën 38 persona dhe janë plagosur 102 të tjerë.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (Centcom) tha se forcat e SHBA-së kryen sulme në portin e Ras Isa, me qëllim që t’iu hiqnin rebelëve Huthi – që mbështeten nga Irani – një burim të rëndësishëm të furnizimeve me karburante dhe t’i privonin ata nga të ardhurat që sigurojnë nga karburantet.

“Qëllimi i këtyre sulmeve ishte të dobësonim burimin ekonomik të fuqisë së rebelëve Huthi, të cilët vazhdojnë të shfrytëzojnë dhe t’u shkaktojnë vuajtje të mëdha bashkëkombësve të tyre”, thuhet në deklaratën e Centcom.

“Ky sulm nuk kishte për qëllim të dëmtonte popullin e Jemenit, i cili me të drejtë dëshiron të çlirohet nga shtypja e rebelëve Huthi dhe të jetojë në paqe”, shtoi ushtria amerikane.

Sulmet ajrore të SHBA-së kanë goditur rëndë rebelët jemenas. SHBA-ja nisi një fushatë ajrore nën urdhrin e presidentit amerikan, Donald Trump, më 15 mars ndaj rebelëve Huthi, me qëllim që të ndalojë sulmet e rebelëve ndaj anijeve tregtare dhe anijeve ushtarake në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adeni.

Sulmet e rebelëve jemenas kanë penguar dërgesat tregtare përmes Kanalit të Suezit – një rrugë jetike për tregtinë globale përmes detit – duke detyruar shumë kompani që të ndryshojnë rrugët e transportit.

Rebelët Huthi kanë dënuar sulmet amerikane.

“Ky agresion krejtësisht i pajustifikuar përbën një shkelje të hapur të sovranitetit dhe pavarësisë së Jemenit dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mbarë popullit jemenas”, u tha në deklaratën e rebelëve, që u transmetua nga agjencia shtetërore SABA, që kontrollohet nga ta. “Ai shënjestroi një cak jetik civil që u ka shërbyer jemenasve për dekada me radhë”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Anees Alasbahi, tha se në mesin e viktimave kishte edhe punëtorë të emergjencës.

“Numri i viktimave me gjasë do të rritet, pasi ende po vazhdon identifikimi”, tha Alasbahi.

Ky numër i raportuar i viktimave paraqet shifrën më të lartë të viktimave të raportuar që kur Trump premtoi se do të kryente veprime ushtarake ndaj rebelëve derisa ata të mos paraqisnin më kërcënim për transportin detar.

Porti Ras Isa ndodhet përgjatë bregut perëndimor të Jemenit, në Detin e Kuq.

Centcom tha se anijet kanë vazhduar të furnizohen me karburante përmes këtij porti, pavarësisht se rebelët janë shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni më herët gjatë këtij viti./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos