Gaza ka përjetuar një nga sulmet më të mëdha nga ushtria izraelite. Qindra raketa janë hedhur në drejtim të banesave të civilëve palestinezë. Autoritete shëndetësore kanë bërë me dije se në rajon po zhvillohet një tjetër situatë alarmante epidemie. Sistemi shëndetësor është drejt kolapsit, theksojnë autoritetet.
Banorët thanë se forcat izraelite bombarduan disa zona në të gjithë enklavën Sulmet goditën shtëpi, kampe tendash dhe rrugë.
“Ne ishim duke fjetur kur dëgjuam një zhurmë e cila tronditi dyshemenë tonë. Ne ishim të tronditur. Raketat goditën banesat ndërsa shumë persona u vranë duke iu copëtuar trupat. Çfarë faji kanë njerëzit? Aty ka gra dhe fëmijë. Çfarë duan ata nga ne? Çfarë duan arabët nga ne? Çfarë duan myslimanët nga ne? A nuk janë në gjendje arabët mysliman të ndalojnë këtë shkatërrim?”, tha Ahmed Sharab, banor Palestinez.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës ka bërë të ditur se një fushatë vaksinimi ndaj poliomielitit e mbështetur nga OKB-ja që synonte mbi 600,000 fëmijë ishte bllokuar nga Izraeli, duke e vënë enklavën në rrezik të ringjalljes së një sëmundjeje gjymtuese që dikur ishte zhdukur plotësisht.
Nëse vaksinat e poliomielitit nuk arrijnë menjëherë, "ne parashikojmë një katastrofë të vërtetë. Fëmijët dhe pacientët nuk duhet të përdoren si karta shantazhi politik", thanë autoritete shëndetësore në Palestinë. 60,000 fëmijë tani po shfaqin simptoma të kequshqyerjes, thanë ata.
Izraeli ka vendosur një bllokadë totale për të gjitha furnizimet në Gaza që nga fillimi i marsit dhe rifilloi operacionet e tij ushtarake më 18 mars pas rënies së një armëpushimi. (A2 Televizion)