“Europa nuk po shkon në drejtimin e duhur”, Trump në Davos: Groenlanda na duhet, vetëm ne mund ta mbrojmë

Nga Rosalba Bejdo
21 Janar 2026, 16:07 | Bota

“E dua Europën, por ajo nuk po shkon në drejtimin e duhur”. Ishte ky mesazhi që presidenti amerikan përcolli nga forumi ekonomik global në Davos ku mbërriti këtë të mërkurë. Fjalimi i Donald Trump ishte i shumëpritur, pasi vjen mes mosmarrëveshjeve e përplasjeve më të rënda në dekada me aleatet europiane. Trump është zotuar të marrë me çdo kusht Groenlandën për arsye sigurie, ndërsa liderët europianë po refuzojnë me vendosmëri të shantazhohen nga kërcënimet me tarifa shtese.

Presidenti amerikan tha më herët se do të vendosë tarifa prej 10 përqind ndaj produkteve të 8 shteteve europiane që e kundërshtojnë për Groenlandën. Në kundërpërgjigje presidenti francez Emanuel Macron, tha se BE mund të konsiderojë masa të ngjashme, që do të godisnin importet amerikane.

Gjatë fjalës së tij në Davos, Trump përsëriti se Groenlanda ishte shumë e rëndësishme për arsye sigurie dhe se askush nuk do të mbronte Arktikun ashtu si Shtetet e Bashkuara. “Mund të përdorja forcë për ta marrë, por nuk do ta bëjmë", tha presidenti.

Pjesë nga deklarata e Trump në Davos

“Ne kurrë nuk kemi kërkuar asgjë për atë që kemi bërë, dhe kurrë nuk kemi marrë asgjë. Me shumë gjasë nuk do të marrim asgjë, përveç nëse vendos të përdor forcë dhe fuqi të tepruar, në një mënyrë që, sinqerisht, do të ishim të pandalshëm. Por nuk do ta bëj këtë. Mirë. Tani të gjithë po thonë: ‘Oh, mirë’. Kjo është ndoshta deklarata më e madhe që kam bërë, sepse njerëzit mendonin se do të përdorja forcë. Nuk kam nevojë të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. E vetmja gjë që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë është një vend i quajtur Groenlandë. Të cilën e kishim më parë si territor nën kujdestari, por me respekt ia kthyem Danimarkës jo shumë kohë më parë, pasi mposhtëm gjermanët, japonezët, italianët dhe të tjerët në Luftën e Dytë Botërore; ua dhamë përsëri atyre. SHBA-ja është motori ekonomik i planetit dhe kur Amerika lulëzon, e gjithë bota lulëzon. Kështu ka qenë historia. Kur shkon keq, shkon keq për të gjithë. Të gjithë ne, ju të gjithë, na ndiqni poshtë dhe na ndiqni lart, dhe jemi në një pikë ku kurrë, nuk besoj se kemi qenë ndonjëherë. Nuk e kam menduar kurrë se mund ta bënim kaq shpejt. Ndoshta edhe ju, dhe vendet nga vini, mund të ecni shumë më mirë duke ndjekur atë që po bëjmë ne, sepse disa vende në Evropë, sinqerisht, nuk janë më as të dallueshme. Nuk janë të dallueshme. Dhe unë e dua Evropën dhe dua ta shoh Evropën të ecë mirë, por ajo nuk po shkon në drejtimin e duhur.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos