Çfarë dihet deri tani rreth sulmit në Uashington?

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2025, 09:33 | Bota

Çfarë dihet deri tani rreth sulmit në Uashington?

Sipas autoriteteve amerikane, një afgan hapi zjarr ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare në qendër të Uashingtonit të mërkurën pasdite (ora lokale), duke i plagosur rëndë. Të shtënat ndodhën vetëm dy blloqe godinash në veriperëndim të Shtëpisë së Bardhë, pranë vendit të njohur Farragut Square. Kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, foli për një "sulm të synuar” në një konferencë për shtyp. Një nga gardistët arriti të hapë zjarr. Edhe autori i dyshuar është qëlluar, dhe trajtohet në sptal.

Dy personat e qëlluar janë anëtarë të Gardës Kombëtare nga shteti i Virxhinias Perëndimore, pjesë e trupave të vendosur në kryeqytet me urdhër të Presidentit Donald Trump. Autoritetet nuk kanë publikuar ende detaje të mëtejshme rreth identitetit të tyre. FBI-ja dhe kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, D.C., deklaruan se rojet e Gardës Kombëtare janë në gjendje kritike për jetën.

Trump: "Akt i së keqes"
Policia njoftoi se bëhet fjalë për një autor të vetëm. I dyshuari është një shtetas afgan që ka hyrë në SHBA në vitin 2021, deklaroi Presidenti Trump në një fjalim drejtuar kombit. Trump e quajti atë një akt terrorizmi. "Ky sulm i neveritshëm ishte një akt i së keqes, një akt urrejtjeje dhe një akt terrori." Trump nuk dha detaje më specifike rreth motivit të mundshëm. Sipas NBC dhe Reuters, FBI po e heton sulmin si një akt të mundshëm terrorizmi.

Në fjalimin e tij, Trump e quajti Afganistanin një "vrimë ferri në tokë" dhe pretendoi se miliona njerëz nga e gjithë bota kishin hyrë në SHBA pa kontroll nën paraardhësin e tij demokrat, Joe Biden. Ai njoftoi se do të rikontrollohen të gjithë individët që hynë nga Afganistani gjatë presidencës së Bidenit. Ai deklaroi gjithashtu se do të "ndërmerrte të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që të dëbohen të gjithë shtetasit e huaj nga të gjitha vendet që nuk duhet të jenë këtu ose që nuk sjellin ndonjë përfitim për vendin tonë".

Edhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, u shpreh se afgani kishte hyrë në SHBA pa kryer verifikimet e nevojshme të së kaluarës. As Trump dhe as Noem nuk dhanë ndonjë provë se nuk ishte kryer verifikimi i zakonshëm para hyrjes. Edhe gjatë evakuimit pjesërisht kaotik të afganëve nga Kabuli nga ushtria amerikane në vitin 2021, afganët nuk u sollën direkt në SHBA. Ata u transportuan me aeroplan, ndër të tjera, në një bazë amerikane në Katar, ku u kryen kontrollet fillestare të sigurisë./DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos