Rusia duket se po përshpejton ritmin për të arritur në të ashtuquajturën “Faza 0”, atë të përgatitjes për një luftë të mundshme me Aleancën e NATO-s. Instituti për Studimin e Luftës me bazë në Uashington ka publikuar një studim të ri që sugjeron se Rusia po përgatitet për një luftë të mundshme me perëndimin.
Rusia është përfshirë në sulme të shumta të hapura dhe të fshehta kundër vendeve të NATO-s vitet e fundit, duke përfshirë sabotim, bllokim të GPS-it dhe zjarrvënie.
"Që nga vjeshta e vitit 2025, Rusia i ka rritur ndjeshëm këto sulme - veçanërisht përmes sulmeve me dronë kundër hapësirës ajrore të NATO-s”, thekson raporti. Më tej shtohet se "Ky model sugjeron që Rusia ka hyrë në fazën e parë të përgatitjeve psikologjike por edhe luftarake për një luftë totale me perëndimin.
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë (SVR) pretendoi më 6 tetor se Mbretëria e Bashkuar po planifikon që një grup rusësh pro-ukrainas që luftojnë për Ukrainën të kryejnë një sulm ndaj një anijeje të Marinës ukrainase ose një anijeje civile të huaj në një port evropian.
SVR theksoi se sabotatorët do të pretendojnë se po vepronin me urdhra nga Moska dhe se Mbretëria e Bashkuar planifikon ta pajisë grupin me pajisje nënujore të prodhuara në Kinë me qëllim që të fajësojë Republikën Popullore të Kinës (PRC) për mbështetjen e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Pretendimi i SVR-së i 6 tetorit vjen pas pretendimeve të ngjashme të SVR-së që synojnë shtetet evropiane, të tilla si Polonia, Moldavia dhe Serbia, dhe SVR ka lëshuar deklarata të tilla më shpesh në javët e fundit që përbëjnë një model të ri të bashkërenduar aktivitetin. Rusia ka ndërmarrë plane afatgjata që ISW vlerëson se mund të jenë pjesë e përgatitjes për një luftë NATO-Rusi në të ardhmen, të tilla si ristrukturimi i distrikteve ushtarake të Rusisë në kufirin e saj perëndimor dhe ndërtimi i bazave ushtarake në kufirin me Finlandën.
Sakaq, bëhet e ditur se Rusia ka raportuar një sulm të ri masiv me dronë nga Ukraina. Ministria e Mbrojtjes në Moskë njoftoi se 184 dronë ukrainas u kapën gjatë natës së të martës.
Shumica e tyre u kapën në rajonet kufitare të Kurskut dhe Belgorodit. Të hënën në mbrëmje, ushtria ruse thuhet se ka kapur 251 dronë. Ky ishte një nga sulmet më të rënda hakmarrëse të Ukrainës që nga fillimi i ofensivës ruse në vendin fqinj. (A2 Televizion)