Firmoset “nëna e të gjitha marrëveshjeve”, Bashkimi Europian dhe India përmbyllin paktin e madh tregtar

Nga Xhevahir Qardaku
27 Janar 2026, 12:53 | Bota

Firmoset “nëna e të gjitha marrëveshjeve”, Bashkimi

Është pagëzuar si “nëna e të gjitha marrëveshjeve”. Bashkimi Europian dhe India kanë firmosur paktin historik duke krijuar një treg me 2 miliardë njerëz. Ky zhvillim vjen pas gati dy dekadash bisedimesh me ndërprerje, ndërsa të dyja palët synojnë të thellojnë lidhjet mes tensioneve me SHBA-në, shkruan A2 CNN.

“India ka arritur marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë në historinë e saj. Miq, së bashku me këtë Marrëveshje të Tregtisë së Lirë, ne po krijojmë gjithashtu një kornizë të re për lëvizshmërinë. Kjo do të krijojë mundësi të reja për studentët, punëtorët dhe profesionistët e Indisë në Bashkimin Europian. Sot po shohim shumë trazira në rendin global. Në një kohë të tillë, partneriteti midis Indisë dhe BE-së do të forcojë stabilitetin në sistemet ndërkombëtare”, tha Narendra Modi, Kryeministër i Indisë.

“Në një kohë kur rendi global po riformësohet në themel, Bashkimi Europian dhe India qëndrojnë së bashku si partnerë strategjikë dhe të besueshëm. Sot po e çojmë partneritetin tonë në një nivel tjetër. Si dy demokracitë më të mëdha në botë, po punojmë krah për krah për të ofruar përfitime konkrete për qytetarët tanë dhe për të formësuar një rend global elastik që mbështet paqen dhe stabilitetin, rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, tha Antonio Costa, President i Këshillit të BE.

“Mik i nderuar, ia dolëm. Ne realizuam marrëveshjen më të mirë. Po krijojmë një treg prej 2 miliardë njerëzish. Dhe kjo është historia e dy gjigantëve, ekonomisë së dytë dhe të katërt më të madhe në botë, dy gjigantëve që zgjedhin partneritetin në një mënyrë të vërtetë fitimprurëse për të dyja palët”, tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.

Marrëveshja do të lejojë tregtinë e lirë të mallrave midis bllokut të 27 shteteve europiane dhe vendit më të populluar në botë, të cilët së bashku përbëjnë gati 25% të produktit të brendshëm bruto global. Pakti pritet të ulë ndjeshëm tarifat dhe të zgjerojë aksesin në treg për të dyja palët. Marrëveshja vjen disa ditë pasi BE nënshkroi një pakt të rëndësishëm me bllokun e Amerikës së Jugut Mercosur, pas marrëveshjeve të vitit të kaluar me Indonezinë, Meksikën dhe Zvicrën. Gjatë së njëjtës periudhë, Nju Delhi finalizoi paktet me Britaninë, Zelandën e Re dhe Omanin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos