Të paktën 19 persona janë plagosur, katër prej tyre në gjendje të rëndë, pasi një shfaqje fishekzjarrësh doli jashtë kontrollit gjatë një panairi në qytetin perëndimor të Düsseldorfit, në Gjermani.
Ngjarja ndodhi të premten mbrëma në Rheinkirmes, një prej panaireve më të mëdha të verës në rajon, i zhvilluar përgjatë lumit Rin. Pamjet nga vendngjarja tregonin fishekzjarrë që shpërthenin pranë zonës së vizitorëve.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, një fëmijë ndodhet mes të plagosurve.
Shërbimi zjarrfikës i Düsseldorf-it konfirmoi se njësitë e urgjencës dhe zjarrfikësit ndërhynë menjëherë pas incidentit, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkakun e shpërthimit, shkruan A2 CNN.
Panairi Rheinkirmes, që zgjat 10 ditë, përfshin atraksione zbavitëse, shfaqje me drone dhe fishekzjarrë, dhe tërheq mijëra vizitorë në brigjet e lumit përballë qendrës historike të qytetit. (A2 Televizion)