Tjetër masakër pranë qendrës së ndihmave në Gaza, me dhjetëra të vrarë, më shumë se 100 të plagosur

Nga A2 CNN
19 Korrik 2025, 10:52 | Bota

Tjetër masakër pranë qendrës së ndihmave në Gaza,

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha më 19 korrik se sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 26 persona dhe kanë lënë të plagosur më shumë se 100 të tjerë pranë dy qendrave të ndihmës në jug të territorit palestinez.

Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Basal i tha AFP-së se 22 persona u vranë pranë një qendre të ndihmës në jugperëndim të Han Junisit, ndërkaq katër të tjerë afër një qendre në veriperëndim të Rafahut, duke fajësuar “sulmet izraelite” për të dyja rastet.

Ushtria izraelite tha se po heton këto pretendime.

Për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj mediave ndërkombëtare, raportimet për numrin e viktimave dhe detajet për sulmet e raportuara nga agjencia për mbrojtje civile dhe palë të tjera nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Lufta në Gazë, që u nxit nga sulmi i Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare në enklavën palestineze.

Mbi 2 milionë persona që jetojnë në Gazë po përballen me mungesë të furnizimeve ushqimore dhe furnizimeve të tjera elementare, teksa mjekët kanë raportuar për rritje të madhe të rasteve të kequshqyerjes.

Raportimet për sulmet ndaj personave që kërkojnë ndihma pranë qendrave të shpërndarjes janë ditore, teksa autoritetet palestineze fajësojnë Izraelin për këto raste.

Një ditë më parë, agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi se nëntë persona u vranë pranë qendrës për shpërndarjen e ndihmës në veriperëndim të Rafahut.

Fondacioni Humanitar për Gazën – që mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli – mori përsipër shpërndarjen e ndihmës në Gazë në fund të majit. Ky fondacion tha se të mërkurën 20 persona vdiqën në Han Junis. Por, për vdekjen e tyre fondacioni fajësoi “personat e armatosur të lidhur me Hamasin” që pretendoi se shkaktuan “skena katoike dhe të rrezikshme” dhe “qëlluan drejt personave që kërkonin ndihma”.

Më herët gjatë javës, Kombet e Bashkuara thanë se kanë regjistruar 875 të vrarë në Gazë, të cilët po tentonin të merrnin ndihma, përfshirë 674 “në afërsi të qendrave të Fondacionit Humanitar për Gazën” që kur ky fondacion nisi operacionet për shpërndarjen e ndihmës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos