Joe Biden kthehet në politikën amerikane. Ish presidenti përdori fjalimin e parë, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, për të kritikuar administratën Trump për politikat e mirëqenies.
Gjatë një konference në Çikago, Biden theksoi se qeveria ka “nisur një luftë” kundër Sigurimeve Shoqërore, një sistem të cilin Donald Trump dhe Elon Musk, që drejton përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për shkurtimin e shpenzimeve, e konsiderojnë si mashtrim.
Ish presidenti nuk e përmendi Trumpin me emër por theksoi se “në më pak se 100 ditë, administrata e re ka bërë aq shumë dëme dhe shkatërrim sa që është mahnitëse”.
“Sigurimet Shoqërore janë më shumë se një program qeveritar. Është një premtim i shenjtë që ne kemi bërë. 73 milionë amerikanë përfitojnë nga Sigurimet Shoqërore që nga paga e parë dhe më pas gjithë jetën. Në këmbim, ata llogarisin që Sigurimet Shoqërore të jenë për ta kur do të kenë nevojë. Miq, ne nuk duhet që kurrë ta tradhtojmë atë besim apo t’i kthejmë shpinën atij obligimi”, tha Biden.
Biden, që foli në një event për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, nuk adresoi largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë apo zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Agjencia për Sigurimet Shoqërore garanton të ardhura bazike për njerëzit në Shtetet e Bashkuara që janë në pension apo që nuk mund të punojnë për shkak të aftësive të kufizuara. 67 milionë njerëz përfitojnë nga kjo skemë.
Demokratët kanë akuzuar vazhdimisht administratën për dëmtim të agjencisë, me ekipin e Musk që pretendon të shkurtojë deri në 7 mijë vende pune. (A2 Televizion)