
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, tha se vendi i tij “nuk mund të tolerojë në asnjë mënyrë” “akte anti-kristiane që po shtohen” në Tokën e Shenjtë.
Barrot iu referua në mënyrë specifike një sulmi brutal ndaj një murgeshe katolike franceze në Jeruzalemin Perëndimor, i cili shkaktoi reagime të forta këtë javë, përcjell A2CNN.
Të enjten, policia izraelite publikoi një video që tregonte sulmin. Pamjet shfaqnin një burrë që ndiqte murgeshën, e shtynte me forcë në tokë duke i shkaktuar një dëmtim në kokë, më pas largohej për pak çaste për t’u kthyer sërish dhe për ta goditur ndërsa ajo qëndronte e shtrirë.
“Autori i këtij akti të neveritshëm është arrestuar. Dënimi duhet të jetë shembullor,” tha ai.
Barrot shtoi se shprehu “emocion të thellë” dhe urimet më të mira për shërimin e shpejtë të murgeshës. (A2 Televizion)