Seanca e fundit stërvitore, kombëtarja shqiptare me grupin e plotë për Finlandën

Nga Dea Kozma
11 Nëntor 2026, 17:57 | Futboll

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur përgatitjet për duelin vendimtar me Finlandën, por këtë herë me një ndryshim në program.

Seanca e fundit stërvitore nisi më herët se zakonisht, pasi për shkak të protestës së paralajmëruar të studentëve, kuqezinjtë vendosën të zhvillonin stërvitjen të mërkurën në mëngjes, duke përfunduar kështu të gjitha përgatitjet për sfidën e së enjtes.

Lajmi më i mirë për trajnerin Rolando Maran është se tashmë ka në dispozicion të gjithë grupin. Edhe Christian Shpendi dhe Arbër Hoxha, dy lojtarët që kishin shqetësuar kampin kuqezi dhe që të martën u stërvitën të diferencuar, janë rikthyer në grupin e plotë. Një sinjal pozitiv në prag të një përballjeje ku Shqipëria nuk ka luksin të gabojë, shkruan A2.

Optimizmi mbizotëron në skuadër. Përpara nisjes së seancës së fundit, Maran mblodhi futbollistët dhe përcolli mesazhin e tij të fundit motivues, duke kërkuar përqendrim maksimal dhe besim te objektivi i përbashkët.

Tashmë fjalën e kanë futbollistët në fushë. Shqipëria kërkon të lërë pas humbjen në Helsinki, të thyejë një tabu historike pasi nuk fiton me Finlandën që prej vitit 1980.

Supersfida, Shqipëri-Finlandë do të luhet të enjten, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos