Franca hap hetim penal ndaj platformës X të Elon Musk

Nga A2 CNN
7 Maj 2026, 22:56 | Bota

Franca hap hetim penal ndaj platformës X të Elon Musk

Prokuroria publike e Parisit ka hapur një hetim gjyqësor ndaj platformës sociale X, në pronësi të Elon Musk, lidhur me dyshime për manipulim algoritmesh dhe abuzim me të dhënat.

Sipas mediave ndërkombëtare, hetimi i ri vendos gjyqtarët hetues në krye të çështjes dhe vjen pasi miliarderi i teknologjisë Elon Musk nuk u paraqit në një thirrje për marrje në pyetje më 20 prill.

Prokuroria franceze po kërkon që nën hetim formal të vendosen kompanitë X.AI Holdings Corp, X Corp dhe xAI, si edhe vetë Elon Musk dhe ish-drejtoresha ekzekutive e platformës X, Linda Yaccarino.

Autoritetet kanë bërë të ditur se personat e përfshirë do të thirren për t’u paraqitur para gjyqtarëve. Në rast se nuk paraqiten, mund të lëshohet urdhër arresti ndaj tyre, çka do të konsiderohej si vendosje nën hetim formal.

Hetimi është zgjeruar gjatë muajve të fundit edhe për të përfshirë dyshime mbi shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve dhe krijimin e përmbajtjeve seksuale “deepfake” përmes inteligjencës artificiale Grok.

Çështja ka shtuar tensionet mes SHBA-së dhe Evropës lidhur me kontrollin e kompanive të mëdha të teknologjisë dhe çështjet e lirisë së shprehjes në platformat sociale.

Në korrik, Elon Musk i mohoi akuzat, duke deklaruar se hetimi i autoriteteve franceze ishte “politikisht i motivuar”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos