Kina është e alarmuar për shkak të tarifave të larta të SHBA-së, të cilat vijojnë të jenë në fuqi. Që kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump vendosi tarifa të larta ndaj Kinës, Pekini është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë. Në mediat shtetërore dhe sociale, autoritetet shtetërore postuan imazhe të Mao Ce Dunit, si dhe kritikuan ashpër politikat "imperialiste" të Donald Trump.
Por, pas dyerve të mbyllura, thekson Reuters, zyrtarët kinezë janë alarmuar gjithnjë e më shumë për ndikimin e tarifave në ekonomi dhe rrezikun e izolimit, ndërsa partnerët tregtarë të Kinës kanë filluar të negociojnë marrëveshje me Uashingtonin. Këta faktorë, së bashku me shtrirjen e vëmendjes nga SHBA-ja dhe një lehtësim të retorikës së Trump, e bindën Pekinin të dërgonte carin e saj ekonomik He Lifeng për takime me homologët amerikanë në Zvicër këtë fundjavë, thanë zyrtarët për Reuters.
Riangazhimi u ndërlikua nga natyra e trazuar e diplomacisë SHBA-Kinë. Në veçanti, Pekini e konsideroi letrën që pala amerikane u dërgoi ministrive kineze në fund të prillit në lidhje me fentanilin si tepër "arrogante", thanë dy zyrtarët për Reutrers. Përpjekjet për të organizuar bisedime u penguan më tej nga mosmarrëveshjet se cilët zyrtarë duhet të përfshihen.
Arsyet e Kinës për vendimin për të negociuar, letra e Uashingtonit mbi fentanilin, sfidat diplomatike të SHBA-së në Pekin dhe kontaktet e hershme midis dy palëve raportohen nga Reuters për herë të parë, bazuar në intervista me gati një duzinë zyrtarësh qeveritarë dhe ekspertësh nga të dyja palët.
Zëvendësministrja e Jashtme e Kinës, Hua Chunying, tha të premten se Kina ka besim të plotë në aftësinë e saj për të menaxhuar çështjet tregtare të SHBA-së, duke shtuar se qasja e administratës Trump nuk mund të jetë e qëndrueshme.
Lufta tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, e kombinuar me vendimin e Trump muajin e kaluar për të vendosur detyrime ndaj dhjetëra vendeve të tjera, ka ndërprerë zinxhirët e furnizimit, ka trazuar tregjet financiare dhe ka nxitur frikën e një rënieje të ndjeshme të rritjes globale.
(A2 Televizion)