Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, quajti vepër heroike praninë e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrit sllovak, Robert Fico, të premten në Moskë, për paradën e Ditës së Fitores kundër Nazizmit, krah Presidentit Vladimir Putin.
Ai tha se të dy liderët ballkanikë përballuan presionin e madh të Bashkimit Evropian për të mos marrë pjesë në këtë ceremoni, shkruan A2 CNN. Sipas Peskovit, vendimi i tyre për të udhëtuar në Moskë në këto rrethana ka domethënie të veçantë politike dhe diplomatike, duke u interpretuar si një akt guximi dhe sovraniteti.
“Siç mund të shihni, shumë erdhën këtu pavarësisht presionit. Sot, veçanërisht nëse flasim për Vuçiç dhe Fico, kjo është praktikisht një vepër heroike. Ata demonstruan vullnetin e tyre sovran për të nderuar Ditën e Fitores, pavarësisht presionit të shfrenuar. Kjo meriton lavdërimet më të larta”, tha Peskov.
Peskov shtoi se Putin falënderoi komandantë të lartë ushtarakë nga Koreja e Veriut për mbështetjen e tyre në operacionet ruse në rajonin e Kurskut. Ata ishin të pranishëm në paradën e Ditës së Fitores në Moskë, ku u shfaqën në transmetimin zyrtar duke shtrënguar duart me Putinin dhe duke shkëmbyer komplimente me të dhe zyrtarë të tjerë rusë. (A2 Televizion)