Kosova rrezikon Presidentin? Kurti: Absurde sjellja e 6 deputetëve të LDK

Nga Erjon Dervishi
2 Shtator 2026, 10:46 | Kosova

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka komentuar zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi gjashtë deputetë të saj, kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidatin për president Bekim Sejdiu.

Kurti pas takimit me deputetët e Vetëvendosjes dhe atyre të koalicionit parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, tha se marrëveshja me LDK-në ende qëndron, por shtoi se do të ketë një takim sërish me kreun e LDK-së Lumir Abdixhikun dhe me Kryesinë e Vetëvendosjes.

“Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që në njërën anë unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së, dhe në anën tjetër që të rikthehem në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje për ta diskutuar rrethanën e re dhe rrugën që duhet të ndjekim përpara. Për bindjen time të fuqishme, por edhe të të gjithë deputetëve që ishin të pranishëm sot në mbledhjen e grupit parlamentar, e ishin pothuajse të gjithë, prej 53 sa janë, e konsiderojmë të papërgjegjshme, të dëmshme, absurde një sjellje të tillë të këtyre gjashtë deputetëve”, tha Kurti.

Kurti tha se beson në vullnetin e sinqertë të Lumir Abdixhikut dhe shtoi se vendit po i ‘kërcënohen’ zgjedhjet e katërta për më pak se 2 vjet.

“Konsiderojmë të papërgjegjshme, të dëmshme, absurde një sjellje të tillë të këtyre gjashtë deputetëve, ku pas tri palë zgjedhjeve, duket që ka dëshirë, e ka vullnet, ka interes, që të shkojmë edhe në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet. Qytetarët kanë folur edhe me 9 shkurt, edhe me 28 tetor të vitit 2025, kanë folur edhe me 7 qershor të vitit 2026, nuk do të duhej që pa arsye, pa nevojë përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme të cilat janë të dëmshme për stabilitetin institucional, për funksionimin demokratik, por njëkohësisht edhe për buxhetin e shtetit”, theksoi Kurti.

Ndërkohë, gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do ta mundësojnë zgjedhjen e Bekim Sejdiut për president.

Një ditë pas marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për emrin e Sejdiut si kandidat konsensual për president, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë dalë kundër kësaj ujdie, raporton KosovaPress.

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar tha se këta deputetë të partisë së tij po i bëjnë dëm të madh Kosovës dhe vetë LDK-së. Abdixhiku i fajësoi të njëjtit për rrezikun e zgjedhjeve të reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos