“Gati për goditjen finale ndaj Iranit!” Axios: Trump po mendon rikthimin në luftë, nuk shkoi në dasmën e djalit

Nga Rosalba Bejdo
23 Maj 2026, 17:27 | Bota

U deshën pak orë për të kaluar nga raportimet për marrëveshje të afërt mes Iranit dhe SHBA, në frikën për një rifillim të mundshëm të luftës. Sipas Axios, presidenti amerikan, Donald Donald Trump po përgatit goditje të reja ushtarake ndaj Iranit, në rast se nuk do të ketë një zhvillim diplomatik të minutave të fundit, që do të kënaqte SHBA.

Burime të cituara nga mediat flasin për nisjen e një operacioni në shkallë të gjerë, pas të cilit kreu i Shtëpisë së Bardhë të shpallë fitoren dhe t’i japë fund luftës. Çështja thuhet të jetë diskutuar gjatë një takimi me krerë të lartë të sigurisë gjatë së premtes.

Pas takimit, Shtëpia e Bardhë njoftoi një ndryshim në agjendën e presidentit, që do të kthehet në Uashington në vend të qëndrimit në klubin e golfit në Bedminster. Trump shkroi në rrjetet sociale se nuk do të merrte pjesë as në dasmën e djalit të tij Donald Trump Jr. gjatë fundjavës, siç tha, për çështje që lidhen me qeverisjen dhe dashurinë e tij për Amerikën.

Sinjale jo pozitive vijnë edhe nga Irani. Kryenegociatori iranian dhe kryetari i parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf, i tha shefit të ushtrisë pakistaneze Asim Munir gjatë bisedimeve në Teheran të shtunën, se SHBA nuk ishte palë e sinqertë në negociata dhe se Irani nuk do të bënte kompromis mbi të drejtat kombëtare, siç raportoi televizioni shtetëror.

Një delegacion i Katarit dhe Pakistanit udhëtoi në Teheran në përpjekjen për të ngushtuar dallimet mes Iranit dhe SHBA, mes raportimeve të mediave arabe se një ujdi mund të ishte çështje orësh.

Bisedimet po përqendrohen në një propozim me 14 pika të Iranit, që ndër të tjera parashikon armëpushim në të gjitha frontet, lundrim të sigurt në Hormuz dhe heqje të sanksioneve amerikane. Por ndërsa sekretari i shtetit Marco Rubio deklaroi të premten se ishte shënuar progres, një burim i lartë iranian i cituar nga Al Arabya, thotë se propozimi mbetet i papranueshëm për SHBA.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos