Gati të bëjë plane me Putin-Xi për Ballkanin, Vuçiç “bekohet” nga kryeprifti rus dhe sfidon BE: Nuk hesht më!

Nga Xhevahir Qardaku
8 Maj 2025, 20:37 | Bota

Nga Rusia, sfidon hapur Bashkimin Europian. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mori fillimisht bekimin e patriarkut Kirill të Kishës Ortodokse të Rusisë në Moskë përpara se të bënte viktimën duke thënë se pret reagime të ashpra kundër tij nga perëndimi.

“Jam krenar sepse nuk mashtrova askënd. Tetë, nëntë muaj më parë, i premtova Presidentit Vladimir Putin se do të vija. Jepni fjalën tuaj që ta mbani kur është e vështirë. Një burrë e mban fjalën e tij. Unë gati sa nuk e mbajta fjalën time, por nuk ishte faji im. Nëse dikush duhet të paguajë çmimin, ai do të jem unë, jo Serbia. Nëse ata menduan se do të qëndrojë pa folur, ta dinë se nuk do të hesht. Përgjigja ime do të jetë serioze, e përgjegjshme dhe e përgatitur paraprakisht. Do t'u tregoj atyre gjithçka që mendoj për marrëdhënien politike ndaj Serbisë”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi më tej se Serbia do ta vazhdojë rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Ndërsa tregoi se gjithë natën do të punojë fort për takimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, por edhe me liderin kinez, Xi Jinping, ndërsa mes temave është dhe Ballkani Perëndimor.

"Nuk është e lehtë të zhvillosh bisedime të gjata me dy nga tre delegacionet më të rëndësishme në botë brenda një dite, në katër orë, kështu që unë dhe ekipi im do të përgatitemi gjithë natën.”

Ai theksoi se tani ndihet më mirë pas problemeve shëndetësore që hasi gjatë udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos