“Gati të hakmerremi ndaj SHBA”, Irani reagon pas sanksioneve të reja. Kina: Do mbrojmë interesat tona

Nga Rosalba Bejdo
25 Gusht 2026, 11:07 | Bota

“Irani është plotësisht i përgatitur për t’iu kundërpërgjigjur sanksioneve të zgjeruara ekonomike të Shteteve të Bashkuara”.

Ishte ky reagimi i Republikës Islamike, pasi Uashingtoni njoftoi atë që e ka pagëzuar si “D-Day ekonomik” kundër vendit, në përpjekjet për ta izoluar nga ekonomia globale. Ministri iranian i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, u shpreh i bindur se edhe kjo lëvizje do të çonte në një tjetër disfatë për Shtetet e Bashkuara dhe se partnerët tregtarë nuk do t’i bindeshin presionit amerikan. 

“Ata kanë bërë çdo përpjekje gjatë kësaj periudhe. Ata janë përpjekur të testojnë vendosmërinë e popullit iranian dhe kanë dështuar çdo herë. Me sa duket, tani kanë vendosur të provojnë një tjetër dështim. Ne i kemi pritur prej kohësh këto ditë dhe ishim të vetëdijshëm për planet që kishin. Qeveria ka një plan dyvjeçar dhe është plotësisht e përgatitur”, tha Madanizadeh.

Teksa njoftoi masat e reja mbrëmjen e së hënës, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se çdo vend që bën tregti me Iranin do të izolohet si ai nëse refuzon të shkëpusë lidhjet. Ai e cilësoi këtë si ofensivën më të madhe financiare ndonjëherë kundër Iranit, duke thënë se vendet që vazhdojnë tregtinë me Teheranin rrezikojnë të përjashtohen nga sistemi financiar me bazë dollarin.

Megjithatë, sanksionet më ndëshkuese u shmangën ndërsa insitucionet financiare kineze që dyshohet se lehtësojnë tregtinë me Iranin, nuk ishin në listën e 60 individëve, entiteteve ose mjeteve lundruese te sanksionuara. 

“Siç thashë, çdo vend, çdo entitet duhet ta dijë se duhet të jetë i përgatitur të përballet me sanksionet e SHBA-së. Ne do t'i mbajmë të gjithë përgjegjës dhe ky është asfiksim ekonomik i këtij regjimi. Askush nuk duhet ta vërë në provë vendosmërinë tonë”, shtoi Bessent, shkruan A2.

Përveç Kinës, partnerë të tjerë të mëdhenj tregtarë të Iranit janë Turqia, dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pekini tha në një reagim se sanksionet ishin të paligjshme dhe se do të bënin gjithçka për të mbrojtur interesat e veta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos