Lojërat Botërore Speciale Olimpike, 13 sportistë synojnë përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë

Nga Dea Kozma
25 Gusht 2026, 18:00 | Sport

13 sportistë të Ekipit Olimpik Special Shqiptar janë duke u stërvitur në Korçë, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Botërore Speciale Olimpike “Santiago 2027”.

Kuqezinjtë, nga Tirana, Korça, Elbasani dhe Pogradeci, po zhvillojnë në juglindje një grumbullim intensiv vlerësimi në disiplinat e peshëngritjes, atletikës dhe ping-pongut.

Sportistët janë përzgjedhur mbi bazën e rezultateve dhe potencialit të tyre, ndërsa gjatë këtyre ditëve po zhvillojnë dy seanca stërvitore në ditë, së bashku me trajnerët dhe stafin teknik. Grumbullimi përfshin edhe vlerësime teknike dhe përgatitje specifike për secilën disiplinë.

Korça është zgjedhur për zhvillimin e këtij grumbullimi edhe për shkak të temperaturave të përshtatshme gjatë kësaj periudhe.

Procesi do të vijojë me dakordësimin e kuotave dhe përzgjedhjen e delegacionit përfundimtar shqiptar për Lojërat Olimpike Speciale në Santiago të Kilit. Delegacioni pritet të shpallet brenda këtij viti.

Adi Sula synon jo vetëm të jetë pjesë e delegacionit shqiptar në Santiago, por edhe të luftojë për medaljen e artë në peshëngritje.

Sportistët Specialë nuk kërkojnë vetëm pjesëmarrjen në këtë event, por synojnë të përfaqësojnë Shqipërinë denjësisht dhe të ngrenë lart flamurin kuqezi në Lojërat Olimpike Speciale të vitit 2027.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos