Gjeorgjia, 5 minuta larg diktaturës. Protesta, përplasje dhe frika nga rikthimi në orbitën ruse

Nga Erjon Dervishi
24 Nëntor 2025, 23:25 | Bota

Pak më shumë se një vit më parë, një gamë e gjerë koalicionesh opozitare luftonin për vota në Parlamentin e Gjeorgjisë dhe katër prej tyre fituan vende. Sot, nga tetë drejtuesit kryesorë të tyre, të gjithë përveç njërit janë në burg, në mërgim ose përballen me akuza penale.

Partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, synon të ndalojë plotësisht tre grupet kryesore opozitare. Rrëshqitja drejt sundimit njëpartiak ka tronditur shumë njerëz në këtë vend të vogël të Kaukazit Jugor me 3.7 milionë banorë, shkruan A2.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Gjeorgjia dukej se po bëhej një demokraci e zhvilluar, në rrugën e shpejtë drejt BE dhe larg orbitës së Moskës. Por, tani, sipas një vlerësimi nga Brukseli, vendi është më larg Perëndimit se pothuajse në çdo periudhë tjetër të historisë së tij post-sovjetike. Raporti përshkroi institucionet e tij demokratike si të dëmtuara dhe gjykatat nën kontrollin e shtetit.

Protestuesi Sandro Megrelishvili shprehet: “Qeveria gjeorgjiane prej më shumë se një viti ka marrë një kthesë autoritare dhe po përpiqet të vendosë një lloj të ri regjimi, një regjim strikt autoritar ku njerëzit u privohen nga liritë e tyre qytetare dhe politike. Kjo është e papranueshme për popullin gjeorgjian. Ne jemi njerëz që duam lirinë dhe kemi luftuar për liri prej shumë kohësh, nën qeveri të ndryshme, dhe duam të jetojmë në një vend të lirë”.

Megi Benia, një tjetër protestuese, tha: “Tani situata këtu në Gjeorgji është mjaft e vështirë, dhe është e vështirë të bësh parashikime për të ardhmen. Por në përgjithësi, do të thoja se, nga njëra anë, ne kemi rezistencën e brendshme këtu në vend, sepse kanë kaluar tashmë 354 ditë që njerëzit qëndrojnë këtu duke luftuar kundër ndikimit rus, sigurisht, dhe jo vetëm kundër qeverisë. Por pa presion ndërkombëtar, pa sanksione ndërkombëtare dhe masa të besueshme, kjo nuk do të ishte e suksesshme, do të thosha. Kështu që kjo është shumë e rëndësishme tani”.

Muajin e kaluar, BE deklaroi se Gjeorgjia ishte “kandidate vetëm me emër”. Ambasadori i BE-së në Tbilisi tha se vendi nuk është më në trajektoren e anëtarësimit fare. Veteranë të politikës dhe diplomacisë gjeorgjiane që folën për Reuters thanë se vendi ndodhet pranë një vije, përtej së cilës demokracia do ta ketë shumë të vështirë të rikuperohet.

Grigol Gegelia, anëtar i opozitës, u shpreh: “Po humbasim vendin tonë, dhe e kuptojmë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo për të gjithë ne. Kjo do të thotë një sferë gri, pa asnjë perspektivë, me korrupsion, pa ambicie dhe pa një zë sovran”.

“Gjeorgjia është zhdukur jo vetëm nga tavolina evropiane, por nga skena globale. Ne nuk jemi askund. Nuk jemi të ftuar në asnjë format të ri, zërat tanë nuk dëgjohen askund. Dhe kjo sigurisht nuk është politika e jashtme që duhet të kemi tani. Kur sheh përreth, Armenia ka arritje të mëdha. Ka një dinamikë të re rajonale në transport, tranzit, arkitekturë të re ekonomike, arkitekturë të re sigurie. Dhe ku është Gjeorgjia në të gjithë këtë? Askund. Dhe kjo është një katastrofë. Dhe është një katastrofë që populli gjeorgjian nuk duhet dhe nuk mund t’ia falë Endrres Gjeorgjiane”, shtoi Gegelia.

Sipas Sergi Kapanadze, ish-zëvendësministër i Jashtëm dhe ish-nënkryetar Parlamenti deri në vitin 2020, vendi është pesë minuta larg një diktature njëpartiake. Natalie Sabanadze, ambasadore e Gjeorgjisë në BE deri në vitin 2021, pohon se për dekada, pavarësisht konfliktit të brendshëm të ashpër politik, ka ekzistuar një konsensus se Gjeorgjia i përket Perëndimit. Kjo tani është zhdukur: “Ata e dinë që demokratizimi, të cilin e kërkon BE, nënkupton pranimin se një ditë do të humbasin pushtetin. Ata nuk e duan këtë. Dhe po ndërtojnë një regjim të plotë autoritar”.

Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” thotë se po mbron vendin nga figurat e opozitës që po përpiqen të marrin pushtetin dhe të nxisin një luftë katastrofike me Rusinë. Frika u bë e prekshme pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, duke rikthyer kujtimet e tankeve ruse që hynë në periferi të Tbilisit në vitin 2008.

Deputete e “Ëndrra Gjeorgjiane” dhe nënkryetare e Parlamentit, Nino Tsilisani, deklaroi: “Në fakt, unë nuk do t’i quaja këta njerëz opozitë, sepse 99% e tyre përfaqësojnë qeverinë e mëparshme, politikanët kriminelë që përdhunuan, vranë dhe dhunuan popullin gjeorgjian. Krimet e tyre janë pranuar nga gjykata e Strasburgut, veçanërisht të Mikhail Sakashvilli dhe të tjerëve. Dhe shumica prej tyre janë në burg për shkak të fajit të tyre. Ajo që na ka dhënë përparësi gjithashtu për të pasur sukses në rritjen ekonomike është paqja që ne po ruajmë në vend. Gjeorgjia është një lloj ishulli paqeje në një rajon gjeopolitik shumë të vështirë. Lufta në Ukrainë, lufta mes Gazës dhe Izraelit, proceset dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, në Iran dhe Siri – të gjitha këto vende janë rreth nesh, por Gjeorgjia mbetet e qetë. Dhe ajo që u duhet investitorëve dhe bizneseve është stabiliteti.”

Partia e akuzon opozitën, përfshirë ish-Presidentin Sakashvili, se po planifikojnë një grusht shteti, akuza që opozita i quan të sajuara për të justifikuar represionin. Oponentët e pikturojnë themeluesin miliarder të Ëndrra Gjeorgjiane, Bidzina Ivanishvili, si arkitektin e autoritarizmit.

Disa e akuzojnë se është i lidhur me Rusinë, vend ku ai u pasurua në vitet ’90. Ish-këshilltari i tij, Gia Khukhashvili, thotë se nuk është nën urdhrat e Moskës, por sheh një “përputhje interesash”: “E kupton se në këtë oqean peshkaqenësh, i duhet një vëlla i madh. Kush mund të jetë? Vetëm Rusia”.

E vendosur në një pikë strategjike të Detit të Zi, Gjeorgjia mund të luante një rol të madh në planet perëndimore për të diversifikuar rrugët tregtare dhe energjetike larg Rusisë. Por, kjo hapje ka ndryshuar. Investimet e huaja kanë rënë në nivelet e viteve 2000. Rritja ekonomike është ruajtur falë mijëra rusëve të ardhur pas luftës në Ukrainë. Banka Botërore parashikon rritje 7% këtë vit, pas 9.4% vitin e kaluar. Ndërtimi i një porti të thellë në Detin e Zi , pikë kyçe transiti, është bllokuar pasi konsorciumi perëndimor u largua.

Një kompani kineze mori projektin, por progresi është minimal. Ndërkohë, Gjeorgjia tashmë importon 45% të naftës nga Rusia, nga vetëm 8% në vitin 2012 , megjithëse Tbilisi dhe Moska nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Ish-ambasadori amerikan, Ian Kelly, thotë se po e humbasi Gjeorgjine pasi ajo i ka hapur dyert Rusisë dhe Kinës. Së fundmi, Ëndrra Gjeorgjiane ka ndërmarrë një fushatë masive për të shuar çdo zë opozitar. Një padi në Gjykatën Kushtetuese pritet të ndalojë tre partitë kryesore opozitare. Ndërkohë, akuza të reja kundër nëntë figurave kryesore, përfshirë Saakashvilin, pritet t’i mbajnë ata për vite në burg. Madje goditjet kanë prekur edhe aleatë të afërt të partisë në pushtet. Disa ministra dhe ish-bashkëpunëtorë të Ivanishvilit janë përballur me akuza.

Situata po zhvillohet aq shpejt sa ish-nënkryetari i parlamentit, Kapanadze, e krahasoi atë me nje loje te shpejte shahu. Opozita po përpiqet t’i shpëtojë matit, ndërsa shpreson që qeveria të bëjë gabime taktike nga nxitimi. Arrestimet në protestat e përnatshme anti-qeveritare përpara Parlamentit mbajnë aktivistët në frikë, dëshpërim dhe dorëzim. Dhjetëra janë në burg ose janë gjobitur për bllokim rruge. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos