
Plani i paqes me 28 pika i shpallur nga SHBA-të javën e kaluar "nuk ekziston më", tha një këshilltar i kreut të zyrës së presidentit ukrainas.
Sipas mediave të huaja, në një postim në Facebook, Oleksandr Bevz, i cili ishte pjesë e ekipit negociator në Gjenevë, tha se Kievi pati "bisedime shumë konstruktive me Shtetet e Bashkuara".
Ai tha se sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, pretendoi se ishte takimi "më produktiv" midis Ukrainës dhe administratës së Presidentit Donald Trump.
Ukraina shqyrtoi çdo pikë të planit të propozuar me SHBA-në dhe se plani, "në formën që të gjithë e kishin parë më parë, nuk ekziston më", tha ai.
"Disa pika u hoqën, të tjera u rishikuan - asnjë nga shqetësimet e Ukrainës nuk mbeti pa u trajtuar", shtoi ai, shkruan A2 CNN.
Bevz tha se "vendimet përfundimtare mbi çështjet më të ndjeshme" do të merren nga Volodymyr Zelenskyy dhe Presidenti Trump. (A2 Televizion)
