Plan i ri me 19 pika për Ukrainën? Trump: Diçka e mirë po ndodh, Rusia refuzon kundërpropozimin e BE

Nga Rosalba Bejdo
24 Nëntor 2025, 22:56 | Bota

Një plan i ri paqeje për Ukrainën, jo me 28, por me 19 pika, është produkt i bisedimeve intensive gjatë fundjavës në Gjenevë mes përfaqësuesve të SHBA dhe Ukrainës.

Palët u dakordësuan të modifikonin propozimin fillestar të Uashingtonit pas pakënaqësive që ai ngjalli në Ukrainë dhe mes aleatëve europianë që e panë planin si listë dëshirash të Moskës, shkruan A2.

Zv/ministri i Jashtëm i Ukrainës, Sergiy Kyslytsya, i cili ishte i pranishëm në bisedimet e Gjenevës, e përshkroi takimin si tejet të sikletshëm, por për “Financial Times” tha se ai kishte qenë produktiv e kishte çuar në hartimin e një dokumenti të ri, totalisht të rishikuar.  

Më herët, Uashingtoni dhe Kievi thanë përmes një deklarate të përbashkët se kishin hartuar një kornizë të përditësuar paqeje. Në një videolidhje për samitin që po mbahet në Suedi këtë të hënë, Presidenti Zelensky theksoi se lëshimi i territorit ukrainas për Rusinë ishte problemi kryesor: “Në hapat që kemi koordinuar me palën e SHBA-së, kemi arritur të mbajmë në tryezë pika jashtëzakonisht të ndjeshme, duke përfshirë lirimin e plotë të të gjithë të burgosurve të luftës si dhe kthimin e plotë të fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia. Këto janë hapa të rëndësishëm, por për të arritur paqe të vërtetë, nevojitet më shumë, më shumë. Putini dëshiron njohje ligjore të asaj që ka vjedhur, të thyejë parimin e integritetit territorial dhe sovranitetit. Ky është problemi kryesor. Ju të gjithë e kuptoni se çfarë do të thotë kjo”.

Siç mësohet, Zelensky mund të udhëtojë në SHBA këtë javë për të diskutuar çështjen më sensitive të planit me Trump. Ndërkohë, Presidenti amerikan reagimin fillestar pas bisedimeve të Gjenevës e bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku sinjalizoi se diçka e mirë do të ndodhte: “A është vërtet e mundur që po bëhet përparim i madh në bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës??? Mos e besoni derisa ta shihni, por diçka e mirë mund të jetë duke ndodhur. ZOTI E BEKOFTE AMERIKËN!"

Në një telefonatë të zhvilluar me homologun turk Rexhep Taip Erdogan, Presidenti rus Vladimir Putin theksoi se plani amerikan për Ukrainën, ashtu siç i ishte prezantuar Moskës, mund të përbëjë një bazë për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit. Ndërkohë, kundërpropozimi i hartuar nga europianët u cilësua si jokonstruktiv dhe jofunksional nga Kremlini. Disa prej pikave kyçe të tij, janë rritja e tavanit ushtarak deri në 800 mijë trupa në kohë paqeje për Ukrainën, heqja e pikës që kërkon mosanëtarësimin e Kievit në NATO në planin amerikan, kushte më të forta ndaj përdorimit të aseteve të ngrira të Rusisë dhe riintegrim me faza të Rusisë në ekonominë globale, vetëm pas kompensimit. 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos