
Një pikë karburanti në Yahodyn, pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë, është goditur gjatë një sulmi masiv me dronë ndaj Ukrainës. Sulmi shkaktoi një zjarr të madh, ndërsa pranë pikës kufitare raportohet se janë përfshirë nga flakët edhe disa kamionë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, e cilësoi sulmin si “terrori i Putinit” dhe paralajmëroi se Rusia po kërcënon drejtpërdrejt kufijtë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ai u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të mos vonojë dhe ta ndalojnë Rusinë para se të jetë tepër vonë dhe të forcojnë sanksionet ndaj Moskës.
"Ky është terrori i Putinit, i cili po troket drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s. Barbarët rusë janë tashmë në derën tuaj, partnerë të dashur. Veproni tani: lëshoni peshën e plotë të sanksioneve tuaja kundër regjimit agresiv të Putinit. Sigurohuni që Moska të paguajë pasojat. Jo masa gjysmake, por hapa vendimtarë dhe pa kompromis. Një embargo totale tregtare. Ndalime absolute hyrjeje. Sanksione gjithëpërfshirëse kundër kompleksit ushtarako-industrial", shkroi ministri në X. "Putini duhet ta kuptojë se barbaria e tij do të përballet me një përgjigje të fortë, të aftë ta bëjë koston e luftës të papranueshme për të. Kjo është e vetmja mënyrë për ta ndaluar atë", deklaroi ai.
Ndërkohë, Moska deklaron se Kryeministri indian Narendra Modi dhe Presidenti kinez Xi Jinping kanë ofruar ndihmën e tyre për të kontribuar në gjetjen e një zgjidhjeje për luftën në Ukrainë. Sipas Kremlinit, Vladimir Putin e ka mirëpritur këtë gatishmëri.
Në një tjetër zhvillim, i dërguari special i Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, deklaroi se pjesa kryesore e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës është përgatitur. Sipas tij, pengesa kryesore mbetet çështja territoriale dhe gatishmëria e Kievit për të pranuar territoret e kërkuara nga Moska.
“Nëse Ukraina do të pranonte të dorëzonte territoret e kërkuara nga Putini, do të kishim tashmë një marrëveshje”, deklaroi Kushner.
Rusia shpreson që së shpejti të zhvillohet një raund i ri bisedimesh trepalëshe mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës, ndërsa çështja territoriale mbetet një nga pengesat kryesore për një marrëveshje paqeje.
(A2 Televizion)