
“Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare të administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi…” Kështu shprehet në një reagim të dytë të ditës së sotme kryeministri Edi Rama në lidhje me kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagave.
Sipas kreut të qeverisë me rritjen e kërkuar prej tyre, paga e gjyqtarëve do të bëhej 1 mijë euro më e lartë se ajo e Presidentit dhe 2 mijë e 200 euro më e lartë se paga e një ministri. Ndërsa për nivelet më të larta të sistemit, Rama tha se diferenca do të shkonte në mbi 5 mijë euro më shumë se e Presidentit dhe rreth 6 mijë e 300 euro më shumë se ministri.
Duke e cilësuar këtë “fantazi të shfrenuar” Rama theksoi se këto shifra janë pjesë e debatit të krijuar pas kallëzimit penal të shoqatave të gjyqtarëve ndaj Ministrit të Financave dhe drejtuesve të thesarit, lidhur me moszbatimin e rritjes së kërkuar të pagave.
Reagimi i plotë i Ramës
Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare të administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi…”
Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më shumë.
Dhe nëse në të tëra vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës demokratike maja e piramidës së pagave në shtet është Presidenti, paga mesatare e rritur në rrugën jashtë parlamentit bëhet 1,000 euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se paga e ministrit. Kjo për mesataren e gjithë trupës, se duke marrë nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor sot, aktualisht, është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen?!.. Oh, aty pastaj shkon mbi 5000 Euro më e lartë se e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se e ministrit!
Duket si fantazi e shfrenuar po në fakt është lënda e kallëzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit.
(A2 Televizion)