Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkarkuar Guvernatoren e Rezervës Federale, Lisa Cook. Vendimin e njoftoi përmes rrjeteve sociale dhe arsyeja lidhet me dyshimet se ajo mund të ketë mashtruar për të përfituar kushte të favorshme për marrjen e një kredie. Ky është një hap i paprecedentë që mund të vërë në provë kufijtë e pushtetit presidencial mbi organin e pavarur të politikës monetare nëse kjo sfidohet në gjykatë.
Trump i tha në një letër Cook, gruas së parë afrikano-amerikane që shërben si guvernatore e Rezervës Federale, se ai kishte “arsye të mjaftueshme” për të besuar se ajo kishte bërë deklarata të rreme mbi marrëveshjet e kredisë dhe përmendi fuqitë kushtetuese të cilat, sipas tij, i lejonin ta shkarkonte atë.
Në përgjigje, Cook ka thënë se Trump nuk ka autoritet ta shkarkojë atë dhe ajo nuk do të japë dorëheqjen. Është një veprim i paprecedentë që presidenti të shkarkojë një anëtar të udhëheqjes së bankës qendrore dhe vjen në një kohë kur Trump ka ushtruar presion në rritje mbi Rezervën Federale, veçanërisht kryetarin e saj Jerome Powell, për shkak të asaj që ai e sheh si mungesë vullneti për të ulur normat e interesit. Presidenti gjithashtu akuzoi Cook për “sjellje mashtruese dhe kriminale në një çështje financiare” dhe tha se nuk kishte besim në “integritetin” e saj.
“Së paku, sjellja në fjalë shfaq llojin e neglizhencës në transaksionet financiare që vë në pikëpyetje kompetencën dhe besueshmërinë tuaj si rregullator financiar”, nënvizon kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Cook, e emëruar në bordin e Rezervës Federale në vitin 2022 nga ish-Presidenti i SHBA-së Joe Biden, ende nuk ka dhënë një përshkrim të detajuar të transaksioneve, pasi pyetjet rreth tyre u ngritën javën e kaluar nga drejtori i Agjencisë Federale të Financimit të Strehimit të SHBA-së, William Pulte, i cili ia referoi çështjen Prokurores së Përgjithshme Pamela Bondi për hetim. (A2 Televizion)