Të paktën 400 persona kanë vdekur dhe mbi 190 janë plagosur në Pakistan gjatë 10 ditëve të fundit për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve të mëdha në Khyber Pakhtunkhwar, Gilgit-Baltistan dhe Kashmir, ndërsa mbi 20,000 persona mbeten të zhvendosur. Kjo është bërë e ditur për mediat ndërkombëtare nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), duke cituar autoritetet lokale.
Departamenti Meteorologjik i Pakistanit parashikon mbërritjen e një sistemi të ri musonësh, me shira të rrëmbyeshëm që pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
OCHA theksoi në një njoftim për shtyp se ata që preken nga përmbytjet kanë nevojë për strehim, ndihmë mjekësore, para në dorë, pako higjienike dhe ujë të pijshëm, si dhe mbrojtje, veçanërisht për gratë dhe vajzat.
Që nga fillimi i sezonit të musonëve të vitit 2025 më 26 qershor, Pakistani ka pësuar dëme të mëdha për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve, me 798 vdekje dhe mbi 1,000 të plagosur, sipas autoriteteve kombëtare. (A2 Televizion)