Habiten shkencëtarët, shkrirja e Arktikut është ngadalësuar

Nga A2 CNN
20 Gusht 2025, 10:45 | Bota

Habiten shkencëtarët, shkrirja e Arktikut është

Shkrirja e akullit në Arktik ka ngadalësuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, duke mos shënuar rënie statistikisht të rëndësishme që nga viti 2005. Ky zbulim, i publikuar në revistën shkencore Geophysical Research Letters, ka befasuar shkencëtarët, pasi emetimet e karbonit nga djegia e karburanteve kanë vijuar të rriten dhe të grumbullojnë më shumë nxehtësi në atmosferë.

Sipas studiuesve, ky ngadalësim nuk nënkupton rikuperim të akullit, por lidhet me luhatje natyrore të qarkullimit të oqeaneve Atlantik e Paqësor, të cilat kufizojnë hyrjen e ujërave të ngrohta në Arktik. Këto variacione kanë balancuar përkohësisht rritjen e temperaturave globale, por pritet që brenda 5 deri në 10 viteve të ardhshme shkrirja të rifillojë me ritëm dy herë më të shpejtë se mesatarja afatgjatë.

“Është befasuese që flasim për një ngadalësim në një kohë kur debati është nëse ngrohja globale po përshpejtohet”, tha Dr. Mark England, që udhëhoqi studimin gjatë kohës që ishte pranë Universitetit të Exeter-it, përcjell A2 CNN. “Ky është një lehtësim i përkohshëm. Kur kjo fazë të përfundojë, lajmet nuk do të jenë të mira”.

Të dhënat tregojnë se, ndonëse ritmi i rënies së sipërfaqes së akullit është ngadalësuar, humbja afatgjatë mbetet e madhe: që nga viti 1979, kur nisën matjet satelitore, sipërfaqja e akullit në muajin shtator, periudha kur ajo arrin minimumin vjetor, është përgjysmuar. Për më tepër, akulli po bëhet gjithnjë e më i hollë. Sipas Prof. Andrew Shepherd nga Universiteti i Northumbria-s, trashësia mesatare e akullit në tetor ka rënë me 0,6 cm çdo vit që nga 2010-a.

Shkencëtarët theksojnë se kjo periudhë e ngadalësimit është e krahasueshme me të ashtuquajturën “pauzë” të viteve 1998–2010, kur temperaturat globale dukeshin të qëndrueshme pas një ngjarjeje të fortë El Niño, por planeti vijonte të grumbullonte nxehtësi dhe më pas temperaturat u rritën me shpejtësi.

Prof. Julienne Stroeve, nga University College London, theksoi se çdo ton dioksid karboni i emetuar shkakton humbjen e rreth 2,5 metra katrorë akulli në shtator. Ky është një tregues i qartë i lidhjes mes veprimtarisë njerëzore dhe shkrirjes së akullit.

Ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht periudhës së “pushimit”, Arktiku pritet të përjetojë kushte pa akull brenda këtij shekulli, duke sjellë pasoja të rënda për komunitetet lokale, për biodiversitetin dhe duke përshpejtuar ngrohjen globale përmes ekspozimit të oqeanit të errët që thith më shumë nxehtësi.

“Ndryshimet klimatike janë të pakundërshtueshme, të shkaktuara nga njeriu dhe vazhdojnë të paraqesin rrezik serioz”, tha Dr. England. “Është e rëndësishme t’u shpjegojmë njerëzve se çfarë po ndodh, përndryshe kjo mund të keqpërdoret nga ata që duan të minojnë shkencën dhe urgjencën e veprimit për klimën”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos