Komisioni Evropian kërkoi që Shtetet e Bashkuara t'i përmbahen kushteve të një marrëveshjeje tregtare BE-SHBA të arritur vitin e kaluar, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi tarifat globale të Donald Trump e ndërsa ky i fundit u përgjigj me taksa të reja në të gjitha nivelet.
Komisioni, i cili negocion politikën tregtare në emër të 27 shteteve anëtare të BE-së, tha se Uashingtoni duhet të ofrojë "qartësi të plotë" mbi hapat që synon të ndërmarrë pas vendimit të gjykatës, shkruan A2 CNN. Pasi gjykata rrëzoi tarifat globale të Trump të premten, presidenti i SHBA-së njoftoi tarifa të përkohshme, të gjithanshme prej 10%, të cilat më pas i rriti në 15% një ditë më vonë.
"Situata aktuale nuk është e favorshme për të ofruar tregti dhe investime transatlantike 'të drejta, të balancuara dhe reciprokisht të dobishme', siç është rënë dakord nga të dyja palët" në deklaratën e përbashkët që përcaktonte kushtet e marrëveshjes tregtare të vitit të kaluar, tha Komisioni. "Një marrëveshje është një marrëveshje."
Komentet ishin formuluar shumë më fuqishëm sesa përgjigjja fillestare e Komisionit të premten, e cila kishte thënë vetëm se po studionte rezultatin e vendimit të Gjykatës Supreme dhe po mbante kontakt me administratën amerikane.
Marrëveshja tregtare e vitit të kaluar vendosi një normë tarifore prej 15% të SHBA-së për shumicën e mallrave të BE-së, përveç atyre të mbuluara nga tarifa të tjera sektoriale, siç është ajo e çelikut. Ajo gjithashtu lejoi tarifa zero për disa produkte, të tilla si avionët dhe pjesët rezervë. BE-ja ra dakord të heqë tarifat e importit për shumë mallra të SHBA-së dhe tërhoqi kërcënimin për t'u hakmarrë me taksa më të larta.
Nuk është e qartë nëse tarifat e reja prej 15% të Trump zëvendësojnë marrëveshjen BE-SHBA. Nëse e bëjnë këtë, përjashtimet zero të BE-së nga tarifat mund të zhduken. Tarifat e reja mund të vendosen gjithashtu mbi tarifat ekzistuese të SHBA-së të "kombit më të favorizuar", gjë që nuk është rasti sipas marrëveshjes BE-SHBA.
Për më tepër, avantazhi krahasues që BE-ja kishte me një tarifë prej 15% duket se është zhdukur, pasi edhe vendet pa një marrëveshje përballen me atë normë.
Monitoruesi i politikave tregtare Global Trade Alert vlerëson se BE-ja në tërësi do të jetë 0.8 pikë përqindjeje më keq, me Italinë që përballet me 1.7 pikë përqindjeje shtesë të tarifave të SHBA-së. "Në veçanti, produktet e BE-së duhet të vazhdojnë të përfitojnë nga trajtimi më konkurrues, pa rritje të tarifave përtej kufirit të qartë dhe gjithëpërfshirës të rënë dakord më parë", tha ekzekutivi i BE-së, duke shtuar se tarifat e paparashikueshme ishin shqetësuese dhe minonin besimin në tregjet globale.
Ajo tha se Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, e kishte diskutuar çështjen me Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së, Jamieson Greer, dhe Sekretarin e Tregtisë, Hoëard Lutnick, të shtunën. (A2 Televizion)