“Hamasi po dëmton bisedimet”, Izraeli sulmon 50 objektiva në Gaza

Nga Erjon Dervishi
15 Janar 2025, 14:41 | Bota

Negociatorët midis Izraelit dhe Hamasit në Doha të Katarit po finalziojnë detajet përfundimtare të një armëpushimi kompleks, me disa faza në Gaza.

Më shumë se tetë orë bisedime në Doha kishin ushqyer optimizëm. Zyrtarët nga ndërmjetësit Katari, Egjipti dhe SHBA, si dhe Izraeli dhe Hamasi thanë të martën se një marrëveshje për një armëpushim në enklavën e rrethuar palestineze dhe lirimin e pengjeve ishte më afër se kurrë.

Por një zyrtar i lartë i Hamasit i tha Reuters se grupi palestinez nuk kishte dhënë ende përgjigjen e tij sepse ishte ende duke pritur që Izraeli të dorëzonte hartat që tregonin se si forcat e tij do të tërhiqeshin nga Gaza.

Nëse realizohet marrëveshja armëpushimi i planifikuar me faza mund të ndalë luftimet që kanë shkatërruar Gazën, kanë vrarë dhjetëra mijëra palestinezë, kanë bërë shumicën e popullsisë së enklavës të pastrehë dhe ende po vriten dhjetëra në ditë.

Sipas planit, Izraeli do të merrte rreth 100 pengje dhe trupa të mbetur nga ata të kapur në sulmet e 7 tetorit 2023 nga Hamasi. Në këmbim do të lironte të burgosurit palestinezë. Drafti i fundit është i ndërlikuar dhe i ndjeshëm thekson Reuters. Sipas kushteve të tij, hapat e parë do të paraqesin një armëpushim fillestar gjashtë-javor. Plani përfshin gjithashtu një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza qendrore dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur në Gazën veriore.

Edhe nëse palët ndërluftuese bien dakord për marrëveshjen në tryezë, ajo marrëveshje ka ende nevojë për negociata të mëtejshme përpara se të ketë një armëpushim përfundimtar dhe lirimin e të gjithë pengjeve

Nëse gjithçka shkon mirë, palestinezët, shtetet arabe dhe Izraeli u duhet të bien dakord për një vizion për Gazën e pasluftës, një detyrë masive që përfshin garancitë e sigurisë për Izraelin dhe miliarda dollarë investime për rindërtimin.

Pavarësisht përpjekjeve për të arritur një armëpushim, ushtria izraelite, agjencia e brendshme e inteligjencës Shin Bet dhe forcat ajrore sulmuan rreth 50 objektiva në të gjithë Gazën gjatë 24 orëve të fundit. Kombet e Bashkuara thanë se janë duke u përgatitur për të zgjeruar ndihmën humanitare për Gazën me afrimin e një armëpushimi të mundshëm, por ka ende pasiguri rreth aksesit në kufi dhe sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos