Më shumë se 800,000 pelegrinë të rinj - me vlerësime që shkojnë deri në 1,000,000 - u mblodhën në periferinë lindore të Romës të shtunën për Jubileun e Vigjiljes së Rinisë.
Pritja e ngrohtë kulmoi me paraqitjen mbresëlënëse të Papa Leoni XIV, papa i parë amerikan, i cili u ul me një helikopter ushtarak, duke provokuar emocione dhe brohoritje. Duke buzëqeshur nga automjeti papnor, me një pamje që të kujtonte një... yll roku, Papa përshëndeti turmat e të rinjve që kishin nxituar ta shihnin, ndërsa shumë prej tyre e kishin kaluar tashmë ditën nën diellin përvëlues, duke dëgjuar muzikë, duke u lutur dhe duke biseduar me bashkëmoshatarët e tyre nga e gjithë bota.
"Papa është këtu!", u njoftua nga altoparlantët, duke përhapur entuziazëm.
Atmosfera u bë edhe më prekëse kur Leoni doli në skenë, duke mbajtur një kryq prej druri. Duke iu drejtuar të pranishmëve, ai tha: “Të dashur të rinj, pasi ecëm, u lutëm dhe ndamë këto ditë hiri të Jubileut kushtuar jush, tani mblidhemi në dritën që përparon drejt natës, për të qëndruar vigjilentë së bashku.”
Midis tyre, 18-vjeçarja Julie Mortier nga Franca, me zë të ngjirur nga këndimi dhe britmat, tha: “Është një përvojë që ndodh vetëm një herë në jetë. Nuk mund ta besoj që po e shoh Papën.”
Shumë kishin planifikuar të qëndronin gjatë natës në zonë përpara meshës së së dielës në mëngjes, e cila kulmoi pelegrinazhin njëjavor të të rinjve, një ngjarje kyçe e Vitit të Shenjtë të Kishës Katolike.
Sot, duke mbajtur një meshë në një hapësirë të hapur jashtë qendrës së kryeqytetit italian, Papa u dërgoi një mesazh të rinjve.
“Synoni gjithmonë gjëra të mëdha, synoni shenjtërinë, kudo që të jeni. Dobësitë tona janë pjesë e ekzistencës dhe qenies sonë të mrekullueshme”, shtoi ai, duke i nxitur të rinjtë të mos kërkojnë një përsosmëri joekzistente, si dhe të rreme.
Shërbesa e sotme ishte tubimi më i madh masiv i besimtarëve që kryeqyteti italian ka pritur në 25 vitet e fundit dhe u organizua si pjesë e Vitit të Shenjtë të Katolikëve.
ROME
— Catholic Arena (@CatholicArena) August 2, 2025
1 MILLION young people are currently in Tor Vergata awaiting the arrival of Pope Leo XIV pic.twitter.com/ljLiofhvl7
Duke iu referuar një mesazhi nga paraardhësi i tij, i ndjeri Papa Françesku, Papa amerikan, duke iu drejtuar të rinjve që u mblodhën në Romë, theksoi se "të gjithë jemi të thirrur të përballemi me pyetje të mëdha, të cilat nuk ofrojnë ndonjë përgjigje të menjëhershme dhe të thjeshtë, por që na ndihmojnë të fillojmë të ecim, të tejkalojmë veten, të kapërcejmë kufijtë që kishim njohur".
Skena gjigante me harkun dhe kryqin e saj të artë dominonte një sipërfaqe prej më shumë se 500,000 metrash katrorë. Disa, si studenti britanik Andy Hewlett, nuk kishin një vizion të qartë, por nuk u dekurajuan. "Gjëja e rëndësishme është që të gjithë jemi bashkë", tha ai.
Rrjeti televiziv Rai e përshkroi vigjiljen si një "Woodstock katolik", me dhjetëra grupe muzikore dhe vallëzimi fetare që argëtuan audiencën. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dha një mesazh mirëseardhjeje, duke folur për një "festë të jashtëzakonshme".
Jubileu i Rinisë filloi të hënën, pothuajse tre muaj pas kurorëzimit të Papa Leonit dhe 25 vjet pas takimit të fundit të madh të të rinjve në Romë me Papa Gjon Palin II. Të rinjtë mbërritën herët në mëngjes në Tor Vergata për të përjetuar 24 orë lutje dhe bashkim shpirtëror, edhe nëse kjo do të thoshte të flinin nën yje. (A2 Televizion)