Izraeli ka pranuar një propozim nga Katari për një marrëveshje armëpushimi 60-ditore që do të përfshinte edhe lirimin e pengjeve, por grupi palestinez Hamas e ka refuzuar këtë ofertë.
Sipas faqes izraelite të lajmeve Ynet, Hamasi po paraqet pengesa në bisedime, duke refuzuar të bëjë lëshime dhe duke e shoqëruar procesin me një “luftë idesh” që synon të sabotojë përpjekjet për marrëveshje.
Edhe burime të tjera politike, të cituara nga televizioni izraelit Channel 13, kanë thënë se ekipi izraelit i negociatorëve do të qëndrojë në Doha për të vazhduar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje.
Ndërkohë, emisari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, nuk do të udhëtojë drejt Dohas për sa kohë që bisedimet nuk kanë hyrë në fazën përfundimtare. Fillimisht ishte planifikuar që Witkoff të udhëtonte më 8 korrik, por udhëtimi është shtyrë, sipas Times of Israel.
Negociatat vazhdojnë në Doha, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po shpreson për një zgjidhje që do t’i japë fund luftimeve dhe do të mundësojë lirimin e pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës. (A2 Televizion)