Hetoi Jeffrey Epstein dhe Diddy, shkarkohet papritur prokurorja federale

Nga A2 CNN
17 Korrik 2025, 11:21 | Bota

Hetoi Jeffrey Epstein dhe Diddy, shkarkohet papritur prokurorja federale

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra prokuroren federale veterane Maurene Comey, e cila ka punuar në çështje me profil të lartë, përfshirë ato kundër abuzuesit seksual Jeffrey Epstein, bashkëpunëtores së tij Ghislaine Maxwell, dhe reperit të njohur Sean “Diddy” Combs.

Lajmi për largimin e saj nga Zyra e Prokurorisë në Distriktin Jugor të Nju-Jorkut është konfirmuar për CBS nga burime të besueshme, por arsyet e shkarkimit të saj nuk janë bërë ende të qarta. Sipas burimeve të afërta me çështjen, ajo nuk ka marrë asnjë shpjegim zyrtar për vendimin, shkruan A2 CNN.

Maurene Comey është vajza e James Comey, ish-drejtor i FBI-së, i shkarkuar nga Presidenti Donald Trump në vitin 2017. Media amerikane raportoi se Trump është shprehur në mënyrë private se nuk e dëshiron një tjetër “Comey” në administratën e tij.

Hetoi Jeffrey Epstein dhe Diddy, shkarkohet papritur prokurorja federale

Shkarkimi i saj vjen në një moment kritik, ndërsa Prokuroria e drejtuar nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi përballet me kritika të forta për mënyrën se si po trajton dosjet e lidhura me Epstein-in. Më herët, Bondi kishte lënë të kuptohej se do të publikonte një listë të klientëve të Epstein-it, por së fundmi deklaroi se nuk ekziston asnjë “listë inkriminuese” dhe nuk do të ketë publikime të tjera.

Epstein, një financier i njohur dhe i dënuar për pedofili, vdiq në burg në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për akuza të rënda trafikimi seksual. Vdekja e tij u shpall si vetëvrasje, por spekulimet për një mbulim të fakteve vazhdojnë të qarkullojnë në opinionin publik.

Një tjetër faktor i mundshëm pas shkarkimit të Comey-t lidhet me dështimin e ekipit të saj për të dënuar Sean “Diddy” Combs për akuzat më të rënda të trafikimit dhe krimit të organizuar. Reperi u shpall fajtor vetëm për akuza më të lehta në fillim të këtij muaji.

Ndërkohë, babai i saj, James Comey, është nën hetim nga Shërbimi Sekret amerikan për një postim të fshirë më pas në Instagram, të cilin autoritetet federale e interpretuan si thirrje për dhunë kundër Presidentit Trump. Po ashtu, Prokuroria po shqyrton dëshmitë e tij të dhëna para Kongresit lidhur me hetimin mbi ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Që prej kthimit të Donald Trump në pushtet në janar të këtij viti, Departamenti i Drejtësisë ka ndërmarrë një valë shkarkimesh të zyrtarëve të përfshirë në hetime të ndjeshme ndaj presidentit. Vetëm javën e kaluar, Prokurorja Bondi shkarkoi të paktën 20 persona që kishin punuar në hetimet e Prokurorit Special Jack Smith për përpjekjet e Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara në rezidencën e tij në Mar-a-Lago.

Gjithashtu, janë larguar nga detyra edhe disa prokurorë që kishin ndjekur penalisht pjesëmarrësit në sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021. Departamenti i Drejtësisë ende nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi shkarkimin e Maurene Comey. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos