Tërmeti i fuqishëm në Turqi, shemben disa ndërtesa, raportohet për të plagosur

Nga A2 CNN
10 Gusht 2025, 21:01 | Bota

Tërmeti i fuqishëm në Turqi, shemben disa ndërtesa,

Një tërmet me magnitudë 6.1 ka goditur mbrëmjen e sotme rajonin e Sındırgı-t në provincën Balıkesir të Turqisë Perëndimore, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime te qytetarët. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, deri tani raportohet për katër persona të plagosur, të cilët po marrin trajtim mjekësor dhe nuk janë në rrezik jete.

Lëkundja kryesore ndodhi në orën 19:53 me orën lokale dhe u ndje në disa qytete të mëdha, përfshirë Izmirin, Bursën dhe deri në Stamboll. Menjëherë pas saj, zona u trondit nga një seri pasgoditjesh, përfshirë një tërmet 4.6 ballë në orën 20:01, si dhe dy të tjerë me magnitudë 4.1 dhe 4.0 brenda pak minutash. Në total, janë regjistruar shtatë paslëkundje mbi magnitudën 3.0, shkruan A2 CNN.

Raportohet se disa ndërtesa janë shembur, përfshirë të paktën një në qytetin e Sındırgı, ndërsa në zonën Serkan Sak janë rrënuar 10 ndërtesa. Në Stamboll, dy persona u nxorën të gjallë nga rrënojat nga ekipet e shpëtimit.

Agjencia Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive ka aktivizuar planin kombëtar të reagimit ndaj katastrofave, duke dërguar ekipe dhe mjete nga dhjetë provinca për operacionet e kërkim-shpëtimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos