Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi ndezi një përplasje të fortë diplomatike me Kinën pas deklaratave që bëri më herët këtë muaj, se një sulm hipotetik kinez ndaj Tajvanit të vetëqeverisur në mënyrë demokratike mund të shkaktonte një reagim ushtarak nga Tokio.
Kina e çoi në Kombet e Bashkuara përplasjen me Tokion ndërsa tensionet mes fqinjëve të Azisë Lindore u thelluan dhe marrëdhëniet ranë në nivelin më të ulët që prej vitit 2023, shkruan A2.
Përplasja është përshkallëzuar shpejt edhe në një luftë tregtare, duke prekur bizneset në të dyja vendet dhe duke thelluar tensionet e sigurisë mbi territorin e kontestuar që prej vitesh është pikë përplasjesh mes tyre.
“Sipas Pekinit, diskutimi rreth Tajvanit po zhvendoset në një drejtim që bie ndesh me interesat thelbësore të Kinës. Ata besojnë se Tajvani është një provincë e Kinës dhe ka qenë pjesë e saj e pandashme që prej kohërave të lashta. Por, gjatë pesë deri në dhjetë vitet e fundit, kemi parë që Tajvani përmendet në deklaratat ndërkombëtare të G7, NATO-s e në deklarata bilaterale mes vendeve të ndryshme si Japonia dhe SHBA”.
Duke folur në Parlament më 7 nëntor, Takaichi, një mbështetëse e kahershme e Tajvanit, tha se një bllokadë detare kineze ose veprim tjetër kundër Tajvanit mund të nxisë një reagim ushtarak nga Japonia. Deklarata ishte e pazakontë, duke shkuar disa hapa më tej se paraardhësit e saj, të cilët më herët vetëm kishin shprehur shqetësim për kërcënimin kinez, por kurrë nuk kishin përmendur reagim ushtarak.
“Nëse përfshihen luftanije dhe veprime ushtarake, mund të shndërrohet në mënyrë të pakushtëzuar në një situatë kërcënuese për mbijetesën e Japonisë,” tha Takaichi në Parlament, duke iu përgjigjur një deputeti të opozitës. Kjo deklaratë solli protesta të menjëhershme nga ministritë e Jashtme dhe të Mbrojtjes së Kinës, të cilat kërkuan tërheqje. Konsulli i përgjithshëm kinez në Osaka, Xue Jian, një ditë më pas kritikoi deklaratat dhe madje u duk se bëri kërcënime në një postim në X (të fshirë tashmë), duke thënë: “Nuk kemi zgjedhje tjetër veçse t’ju presim atë qafë të pistë që është hedhur drejt nesh pa hezitim. Jeni gati?”
Ky postim shkaktoi zemërim edhe në Japoni, dhe disa zyrtarë nisën të kërkonin dëbimin e tij. Shefi i kabinetit japonez, Minoru Kihara, protestoi ndaj Pekinit, duke e quajtur mesazhin “jashtëzakonisht të papërshtatshëm”, ndërsa Ministria e Jashtme japoneze kërkoi fshirjen e tij. Pekini e mbrojti Xue-n duke thënë se deklarata ishte personale. Më 14 nëntor, Ministria e Jashtme e Kinës thirri ambasadorin japonez dhe paralajmëroi për një “humbje shkatërruese” nëse Japonia ndërhyn në Tajvan. Një ditë më pas, edhe Tokio thirri ambasadorin kinez. Edhe pse Takaichi tha para Parlamentit tre ditë më vonë se do të shmangte komentet për skenarë specifikë, ajo ka refuzuar të tërheqë deklaratat e saj.
“Kur ajo deklaroi se një krizë në Tajvan do të ishte edhe një krizë e sigurisë për Japoninë dhe do të kërkonte ndërhyrje të mundshme ushtarake, kjo e shtyu situatën shumë përpara. Mendoj se nga këndvështrimi kinez, ajo e kaloi vijën e kuqe. Kina kërkon të ndalojë çdo sugjerim se çështjet që lidhen me Tajvanin janë politikë e jashtme, ata i konsiderojnë çështje të brendshme. Gjithashtu, duan t’u tregojnë jo vetëm Japonisë, por edhe fuqive të mesme si Koreja e Jugut, Australia, Kanadaja, etj., se cilat janë vijat e tyre të kuqe dhe se ato nuk duhen kaluar apo zgjeruar në bashkëpunim me Tajvanin jashtë kornizës ‘Një Kinë’.”
Çështja është kthyer në një luftë tregtare. Më 14 nëntor, Kina lëshoi një këshillë mos-udhëtimi në Japoni, duke goditur sektorin turistik, icili kishte pritur 7.5 milionë turistë kinezë në 9 muajt e parë të vitit. Më 15 nëntor, tre linja ajrore kineze ofruan rimbursime ose ndryshime falas për fluturimet drejt Japonisë. Ministria e Arsimit e Kinës paralajmëroi studentët kinezë në Japoni për “krime ndaj kinezëve”.Të dy vendet kanë regjistruar sulme ndaj shtetasve tënjëri-tjetrit, por nuk dihet nëse incidentet lidhen me përplasjen politike.
Tensionet janë rritur edhe në terren: Roja bregdetare kineze njoftoi patrullime rreth ishujve të kontestuar Senkaku/Diaoyu në Detin e Kinës Lindore. Japonia reagoi, duke e quajtur lëvizjen “shkelje të përkohshme të ujërave territoriale”. Ndërkohë, Kina ka pezulluar shfaqjen e të paktën dy filmave japonezë e ka ndaluar importet e disa produkteve detare japoneze.
Të enjten, Pekini shtyu një takim trepalësh me ministrat e Kulturës të Japonisë dhe Koresë së Jugut: “Këto janë cikle që përsëriten çdo disa vite në marrëdhëniet dypalëshe, derisa palët vendosin të rikthejnë stabilitetin. Në kontekstin e komenteve të kryeministres Takaichi, mendoj se ajo kaloi vijën e kuqe të Kinës — Tajvanin. Dhe besoj se po hyjmë në një periudhë prej një apo dy vitesh, ndoshta edhe më gjatë, ku të dy vendet do të krijojnë një status quo të re se si flasin për Tajvanin dhe si bashkëpunojnë ekonomikisht.”
Më 18 nëntor, diplomatët u takuan në Pekin për të shprehur ankesat. Zyrtari i lartë kinez Liu Jinsong veshi një kostum tradicional me pesë kopsa, të lidhur historikisht me rebelimin estudentëve kinezë kundër imperializmit japonez më 1919. Media japoneze e quajti veshjen një “simbol sfide”. Në video shihej edhe Liu me duar në xhepa pas takimit, një gjest i konsideruar i pasjellshëm në mjedise formale. Takimi nuk uli tensionet: Kina kërkoi sërish tërheqje, ndërsa Japonia tha se deklaratat e Takaichi-t janë në përputhje me vijën zyrtare.
Historia e tensioneve kino-japoneze është e gjatë dhe për Kinën veçanërisht e dhimbshme. Në luftën e Parë Sino-Japoneze Japonia aneksoi Tajvanin dhe pushtoi pjesë të Kinës. Në luftën e dytë, në 1937, Japonia pushtoi territore të gjera, krijoi qeveri kukull dhe kreu mizori. Dorëzimi i Japonisë i dha fund ambicieve të saj imperialiste dhe komunistët morën pushtetin në Kinë. Deri në vitin 1972 Japonia e njihte Tajvanin si “Kina”, ndërsa pas 1972, Japonia njohu Republikën Popullore të Kinës, por ruan lidhje jozyrtare të forta me Tajvanin.
Tokio ka ndjekur gjithashtu politikën e “paqartësisë strategjike” për reagimin në rast sulmi ndaj Tajvanit, ngjashëm me SHBA-në: “Sondazh pas sondazhi në Tajvan tregon se shumica e tajvanezëve nuk kërkojnë pavarësi, por as ribashkim. Ajo që duan është ruajtja e status quo-së: pavarësia e tyre politike, liria e shtypit, dhe standardet e tyre të të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Ata duan t’i ruajnë këto. Më shumë mbështetje e hapur ndaj qëndrimit japonez mund të interpretohej nga Pekini si hap drejt pavarësisë. Ndaj politikanët tajvanezë janë të kujdesshëm, sepse ata kanë më shumë për të humbur se kushdo tjetër.”
Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë së Kinës, He Yongqian, tha se marrëdhëniet tregtare janë “dëmtuar rëndë” nga deklaratat e Takaichi-t. Kina është tregu i dytë më i madh i eksporteve japoneze. Më 2024, Japonia i shiti Kinës rreth 125 miliardë dollarë mallra: “Mendoj se në vijim, Japonia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj. Kina do të vazhdojë të kërkojë pika presioni ndaj ekonomisë japoneze — tashmë kanë ndalur importet e produkteve të detit dhe ka shumë gjasa të ndalin edhe importe të tjera. Pres kontrolle të papritura për kompanitë japoneze në Kinë dhe ndalime daljeje për disa qytetarë japonezë. Pekini do të përdorë një sërë taktikash për të ndikuar politikën e brendshme japoneze. Por, sfida për Kinën është se sa herë përdor këto taktika, Japonia dhe vendet e tjera mësojnë si t’i përballojnë. Kështu që me kalimin e kohës, këto mjete bëhen më pak efektive, jo më shumë”. (A2 Televizion)