Autizmi është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në komunikimin, ndërveprimin social dhe sjelljen e fëmijëve. Diagnostikimi i hershëm është thelbësor, pasi ndërhyrjet në kohë mund të ndihmojnë në përmirësimin e zhvillimit dhe integrimit të fëmijës. Me rritjen e numrit të rasteve të diagnostikuara në vitet e fundit, shumë prindër shfaqin shqetësime dhe dilema, veçanërisht gjatë vitit të parë të jetës së fëmijës, edhe në lidhje me procesin e vaksinimit.
Një nga debatet që shpesh rikthehet lidhet me vaksinën MMR, ndërkohë që disa prindër shprehin shqetësime për përmbajtjen e saj dhe ndikimin e mundshëm në shfaqjen e autizmit. Megjithatë, studimet shkencore ndërkombëtare nuk kanë gjetur prova që lidhin vaksinimin me zhvillimin e autizmit. Në këtë kontekst, një pjesë e prindërve kërkojnë kryerjen e analizës së metaleve të rënda në gjak, për të vlerësuar nivelin e elementeve si merkuri apo metale të tjera potencialisht toksike në organizmin e fëmijës.
Por a është kjo analizë përcaktuese për shfaqjen e autizmit? Çfarë informacioni mund të japë ajo dhe sa e rëndësishme është kryerja e saj? Për këto pyetje u përgjigj në studion e emisionit “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, Dr. Genta Dedej, mjeke laboratori pranë Klinikës Vera – Virhov.
“Analiza e metaleve të rënda bëhet në klinikën tonë dhe ne kërkojmë tre metale të rënda më kryesoret që janë alumini, mërkuri dhe plumbi. Ështw një analizë që kërkohet shpesh nga nënat për fëmijët rreth moshës një vjeç, kur ato fillojnë të bëjnë vaksinat e para tek fëmijët e tyre dhe për shkak të frikës që kanë në lidhje me spektrin e autizmit. Jua them gjithmonë prindërve përpara se ata ta marrin analizën që kjo analizë nuk do të thotë rezultati i saj që problemet që ka fëmija apo dyshimet që keni ju apo frikërat që keni ju kanë lidhje pra me precedencën për të zhvilluar autizëm fëmija në qoftë se do të dalin gjurmë të larta të këtyre metaleve në gjakun e fëmijës. Dihet që në qoftë se uji, ajri, ushqimet janë të ndotura me metale të rënda, ato do të prekin edhe sistemin nervor të kujt moshe pa dallim dhe gjithashtu dhe tek fëmija, por duhet të jemi të qartë që nuk kanë lidhje me diagnozën pra me autizmin. Duke qenë se klinika jonë është marrë për shumë kohë me testet gjenetike për autizmin, gjej dhe rastin t'ju them pacientëve që nëse ato kanë një fëmijë që ka probleme të sjelljes dhe të përshtatjes, duhet të shikojnë edhe faktorin gjenetik. Kaq vite që unë punoj me këto teste gjenetike, fëmijët që kanë pasur probleme të sjelljes dhe të përshtatjes kanë qenë me probleme gjenetike” – tha mjekja e laboratorit.
Në mirërritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, një rol të rëndësishëm luajnë edhe analizat mjekësore, përveç kujdesit prindëror dhe konsultave periodike me mjekun. Monitorimi laboratorik nis që gjatë shtatzënisë, përmes analizave që kryhen te nëna dhe që ndihmojnë në vlerësimin e shëndetit të fetusit. Pas lindjes, kontrollet dhe analizat laboratorike vijojnë sipas rekomandimeve mjekësore, veçanërisht gjatë vitit të parë të jetës dhe më pas në mënyrë periodike gjatë rritjes së fëmijës.
“Mosha e saktë për të bërë analizat e para është nga mosha nëntë muaj deri në moshën një vjeç. Në këtë fazë pra të jetës, në këto tre muajt e fundit pra të vitit të parë të jetës, ne rekomandojmë testet e para të cilat janë të mbështetura dhe në rekomandimet e shoqatës pediatrike amerikane. Ne ofrojmë në klinikën tonë analiza të ndryshme, teste të cilat lidhen me aneminë që është një nga problemet më të shpeshta që ne hasim tek fëmijët e vegjël. analizat metabolike që kanë të bëjnë me funksionin e mëlçisë, të veshkave, funksionet e proteinave, analizat hormonale ku tiroideja luan një rol kryesor në zhvillimin e fëmijës. Për sa i takon adoleshencës, ne këtu e ndajmë qartë gjininë femërore nga gjinia mashkullore, sepse tashmë fillon edhe rritja hormonale e fëmijëve. Vajzat fillojnë ciklin e parë menstrual dhe kanë krejtësisht problematika të tjera në krahasim me djemt. Ne shikojmë që është i shpesht problemi i tiroides, ndërsa tek vajzat shikojmë probleme që lidhen me aneminë me mungesë të hekurit. Kështu që pra analizat për aneminë, analizat e tiroides dhe analizat e vitaminave janë të rëndësishme absolutisht tek vajzat, por dhe një herë të paktën në vit tek djemt. Pasi bëhen këto analiza, pastaj bëhen rikontrolle mbas mjekim, sipas rekomandimeve që jep mjeku.” – shpjegoi Dr. Genta Dedej.
Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)