Një plagosje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të hëne në zonën e Saukut të Vjetër në Tiranë.
A2 CNN mëson se i plagosur ka mbetur shtetasi turk Halil Uçar, 39 vjeç. Ai është paraqitur për mjekim në Spitalin e Traumës me një plagë pranë barkut, ndërsa sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore paraqitet stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur brenda një restoranti turk në zonën e Saukut. Dyshohet se autori i plagosjes është gjithashtu një shtetas turk, i cili është identifikuar nga policia dhe është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas krimit.
A2 CNN disponon edhe pamjet e autorit brenda restorantit pas krimit, kur po largohet.
Burime bëjnë me dije se i plagosuri nuk është treguar bashkëpunues me hetuesit për identifikimin e autorit dhe për sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Ndërkohë policia dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhur për motive të dobëta dhe se i plagosuri dhe autori njihen me njëri-tjetrin.
Grupi hetimor po punon për kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
(A2 Televizion)