Sulmi vdekjeprurës në shkollë, policia austriake në kërkim të përgjigjeve

Nga A2 CNN
11 Qershor 2025, 09:29 | Bota

Sulmi vdekjeprurës në shkollë, policia austriake në

Autoritetet austriake janë në kërkim të përgjigjeve pse një 21-vjeçar i armatosur i vrau 10 njerëz në ish-shkollën e vet të mesme, para se ta vriste veten, duke e shkaktuar një prej sulmeve më të dhunshme në historinë moderne të vendit.

Në mesin e të vrarëve në sulmin e së martës ishte edhe një vajzë me prejardhje nga Kosova.

Policia tha se sulmuesi, i armatosur me pushkë me revole, veproi i vetëm.

Autoritetet e sigurisë janë duke kontrolluar shtëpinë dhe veprimtarinë e sulmuesit në internet, për të gjetur ndonjë të dhënë që mund të japë përgjigje përse ai kreu sulm në shkollë në qytetin e dytë më të madh të Austrisë, Grac, para se të vetëvritej në një banjë.

“Është shumë e vështirë ta kuptosh këtë ngjarje”, tha Paul Nitsche, mësues i lëndës së studimeve fetare në shkollë, i cili doli nga klasa e tij para se sulmuesi të përpiqej të hynte, dhe e pa shkurtimisht duke u përpjekur të qëllonte bravën e një dere tjetër.

“Kjo është diçka që nuk mund ta parafytyroja kurrë më parë. Derisa po zbrisja shkallëve me vrap, mendova me vete: ‘Kjo nuk është e vërtetë’”, i tha ai transmetuesit kombëtar ORF.

Disa media austriake kanë raportuar se i riu, i cili nuk është identifikuar ende, duket se ndihej i bullizuar, megjithatë policia nuk e ka konfirmuar këtë. Autoritetet austriake thanë se ai nuk i kishte përfunduar kurrë studimet në atë shkollë.

Ai kishte lënë një letër të lamtumirës, e cila, sipas policisë, nuk zbulon motivin e sulmit. Po ashtu, një bombë artizanale që u gjet në shtëpinë e tij nuk ishte funksionale.

Franz Ruf, drejtori i përgjithshëm i sigurisë publike, tha se hetimet për motivin po kryhen me shpejtësi.

“Nuk duam të spekulojmë në këtë moment”, i tha ai ORF-së të martën në mbrëmje.

Policia austriake tha se viktimat u gjetën brenda dhe jashtë shkollës, në kate të ndryshme. Dhjetëra të tjerë u plagosën në sulm, disa në gjendje të rëndë.

Austria shpalli tre ditë zie kombëtare të martën pas sulmit.

Ngjarja shkaktoi një valë solidariteti të rrallë mes partive politike, zakonisht të ndara thellësisht në qëndrimet e tyre. Prindërit e nxënësve dhe banorët pranë shkollës po përpiqen të kuptojnë çfarë ndodhi.

Qindra njerëz u mblodhën të martën në mbrëmje në sheshin kryesor të Gracit, për t’i nderuar viktimat. Të tjerë vendosën lule dhe ndezën qirinj pranë shkollës. Dhjetëra njerëz u rreshtuan për të dhuruar gjak për të mbijetuarit./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos