India e Pakistani drejt një lufte të plotë, Islamabadi thërret komandën e arsenalit bërthamor

Nga A2 CNN
10 Maj 2025, 08:42 | Bota

Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit kanë njohur një përshkallëzim të ndjeshëm pas një vale goditjesh ajrore dhe veprimesh ushtarake të ndërsjella përgjatë kufirit në rajonin e kontestuar të Kashmirit.

Pas një sulmi të madh të Indisë ndaj bazave të dyshuara terroriste në territorin pakistanez, forcat e armatosura pakistaneze nisën kundërpërgjigjen duke goditur objektiva strategjikë indianë, përfshirë aeroportin e Pathankot dhe bazën ajrore të Udhampur.

Sipas ushtrisë së Pakistanit, kjo ofensivë bën pjesë në operacionin “Bunyanun Marsoos”, që do të thotë “muri i pathyeshëm”, një referencë nga një varg kuranor.

Në qytetin indian të Jammu, sulmet ajrore shkaktuan të paktën pesë viktima dhe ndërprerje të energjisë elektrike. India ka raportuar gjithashtu për një zhvendosje të trupave pakistaneze drejt kufirit, duke e interpretuar si sinjal të një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Në përgjigje të zhvillimeve, qeveria pakistaneze ka mbledhur Autoritetin e Komandës Kombëtare, organi që merret me kontrollin dhe menaxhimin e arsenalit bërthamor të vendit, një veprim i rrallë që ndodh zakonisht vetëm në situata të luftës.

India ka mbyllur hapësirën ajrore për fluturimet pakistaneze deri më 23 maj, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka reaguar me shqetësim.

Vendet anëtare të G7 kanë bërë thirrje për një "de-përshkallëzim të menjëhershëm" të konfliktit, duke paralajmëruar për rrezikun që përbën për stabilitetin rajonal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos