Irani humb kontrollin e Hormuzit? 80% e anijeve kalojnë në korridorin e Omanit, SHBA fiton terren

Nga Rosalba Bejdo
19 Gusht 2026, 14:45 | Bota

Beteja për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit është shndërruar në një nga pikat kyçe të konfliktit me Iranin. Prej muajsh, si Teherani ashtu edhe Uashingtoni pretendojnë se kanë epërsinë në këtë zonë strategjike, dhe deklaratat kontradiktore kanë krijuar pasiguri të madhe mbi situatën reale në një prej rrugëve detare më të rëndësishme të botës.

Megjithatë, momentalisht, të dhënat flasin qartë. Shtetet e Bashkuara të cilat po patrullojnë ngushticën me flotën e vet detare po fitojnë terren, dhe Irani po humbet një pjesë të madhe të kontrollit në Hormuz.

Sipas kompanisë së të dhënave detare Kpler, më shumë se 80% e anijeve që kanë kaluar në Ngushticën e Hormuzit gjatë dy javëve të fundit kanë përdorur korridorin e Omanit, i autorizuar nga Kombet e Bashkuara për trafikun detar, të cilin Irani e kundërshton fuqishëm.

Me pretendimin se ngushtica është nën kontrollin iranian, Garda Revolucionare ka sulmuar dhjetëra anije që janë përpjekur të kalojnë përmes itinerarit që gjendet pranë bregdetit verior të Omanit. Pavarësisht rrezikut, shumica e anijeve kanë zgjedhur të shpërfillin kërkesat e Teheranit dhe të kalojnë ngushticën me premtimin e mbrojtjes nga forcat amerikane.

Raportimet e fundit sinjalizojnë një kthesë të rëndësishme krahasuar me një muaj më parë, kur Kpler regjistronte pothuajse asnjë lëvizje anijesh përmes rrugës së Omanit. Rënia e ndjeshme e trafikut në itinerarin e preferuar nga Irani ka bërë që Teherani të mos arkëtojë tarifa nga anijet që kalojnë nëpër ngushticë, siç kishte bërë gjatë pranverës.

Skadimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes SHBA dhe Iranit këtë javë, lejon në teori Republikën Islamike të vendosë sërish tarifa, por sipas kompanisë së të dhënave detare, duket se deri më tani nuk ka qenë në gjendje ta bëjë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos