Vrasja e turistit portugez, Berisha: Në Sarandë shteti dhe krimi janë një

Nga Anesti Barjamemaj
19 Gusht 2026, 14:49 | Politikë

Sali Berisha deklaroi se ngjarja e rëndë në Ksamil, ku u vra me thikë turisti portugez nga roja e lokalit është në kufirin e një krimi shtetëror.

“E them këtë në kuptimin, jo se ai u ekzekutua nga njerëz me uniformë, por në kuptimin e vërtetë se industria turistike në Sarandë është në kthetrat e krimit. Në Sarandë, shteti dhe krimi janë një. Ligji nuk ekziston”.

Në konferencën për mediat, e posaçme për këtë krimin që tronditi vendin, lideri demokrat tha se rojet e sigurisë në bregdet po rezultojnë të inkriminuar.

"Bashkëpunëtorë ishin të paktën 3 punonjës me uniformë. Kjo dëshmon se cila është shkalla e lartë e inkriminimit të rojeve të sigurisë në këto lokale. Ata në vend se të parandalonin krimin, e fshehën për orë të tëra krimin, në mos, hetimi do tregojë, ndoshta edhe morën pjesë në masakrimin e 20-vjeçarit portugez".

Sipas Berishës turizmi në Shqipëri është në duart e krimit dhe antiligjit. Ngjarja e fundit për liderin demokrat është shembulli se klima e turizmit në vend nuk është e duhura dhe me pasoja në imazhin që të huajt kanë krijuar për vendin tonë.

“Nuk ka diskutim që policia ka përgjegjësi absolute në këtë rast, por këta përgjegjësi nuk ndjejnë. Natyrisht, pasojat janë shumë negative. Pasojat janë një emër i keq për Shqipërinë si vendi ku vriten turistët. Nuk ka më keq se kaq”.

Pas ngjarjeve të fundit në Vlorë, Sarandë e Ksamil, Berisha thotë se turistët tashmë nuk ndihen më të sigurt.

“Shqipëria është një rrezik për ata që vijnë, dhe për jetën e tyre”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos