
Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama si përgjegjësin e degradimit të arsimit në Shqipëri. Gjatë një deklaratë për mediat drejtuesja e departamentit të arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula deklaroi se Shqipëria është e fundit në rajon për nivelin e arsimit dhe financimit.
“Edi Rama premtoi para 13 vitesh se do ta financonte arsimin me 5% të PBB-së, ndërsa realisht, financimi i shtetit mbetet në nivele më të ulëta se periudha e viteve 2009–2013 kur qeveriste Partia Demokratike.
Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Europian (OECD) dhe Fondacioni Evropian i Trajnimit (ETF) kanë theksuar në raportet e vitit 2023 se Shqipëria ka një sistem arsimor të nënfinancuar, dhe kanë kërkuar rritje të buxhetit për të përmbushur standardet e BE-së. Këto institucione kanë ngritur shqetësimin mbi pjesëmarrjen në arsim, mbi rënien e regjistrimeve, sidomos në arsimin profesional, gjë që rrezikon përgatitjen e fuqisë punëtore.
Qeveria nuk i ka marrë parasysh, përkundrazi ka propaganduar rezultate dhe vlerësime patronazhistësh.
Raportet evidentojnë se niveli i të rinjve jashtë sistemit të arsimit dhe të punësimit në Shqipëri është alarmues me rreth 25% e të rinjve 15–29 vjeç gjenden jashtë arsimit, punësimit dhe trajnimit, duke u renditur në fund të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së që ka një nivel mesatar dukshëm më të lartë me 11%.
Ndërkohë që vendet e BE-së e trajtojnë arsimin si investim strategjik për konkurrueshmërinë afatgjatë, qeveria shqiptare e ka lënë arsimin të degradojë vit pas viti.
Rekomandimet ndërkombëtare nënvizojnë se pa rritje të financimit dhe të cilësisë së arsimit, Shqipëria mbetet prapa në integrimin europian dhe në tregun global të punës.
Partia Demokratike do ta ndryshojë këtë realitet me një program bashkëkohor dhe me financim të përafërt me vendet e BE.
Vetëm me një arsim cilësor dhe me politika pro dijes mund të ndalet shpopullimi dhe ikja e trurit.
Sa për Edi Ramën, të vërtetën e thotë protestat 80 ditore e mijëra qytetarëve që kërkojnë largimin e tij. Dorëheqja e Ramës është kusht për të ardhmen e arsimuar dhe europiane të vendit”. (A2 Televizion)