"Irani ishte pranë kapjes së pilotit të F-15", Trump zbulon të tjera detaje nga operacioni i shpëtimit

Nga A2 CNN
5 Prill 2026, 14:19 | Bota

"Irani ishte pranë kapjes së pilotit të F-15", Trump

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ndarë detaje të reja në lidhje me shpëtimin e pilotit amerikan në operacionin e shpëtimit në Iran, përmes një postimi në platformën Truth Social, raporton A2CNN. 

Sipas tij, anëtari i ekuipazhit të avionit luftarak F-15, i plagosur rëndë, është nxjerrë nga zonat malore të Iranit në një operacion të rrezikshëm, ndërsa forcat ushtarake iraniane ishin shumë pranë kapjes së tij.

Trump theksoi se bëhet fjalë për një kolonel shumë të respektuar dhe se misioni ishte ndër më të vështirët për shkak të rrezikut të lartë për personelin dhe pajisjet.

Ai shtoi se ky ishte operacioni i dytë i këtij lloji, pas një misioni të mëparshëm ku një pilot tjetër u shpëtua në mes të ditës, pas shtatë orësh qëndrimi mbi territorin Iranian, një veprim që ai e cilësoi si të pazakontë.

Presidenti amerikan e përshkroi ndërhyrjen si një “shfaqje të jashtëzakonshme guximi dhe profesionalizmi” nga ana e forcave ushtarake amerikane.

Në fund, Donald Trump njoftoi se do të mbajë një konferencë për shtyp së bashku me ushtrinë në Zyrën Ovale të hënën në orën 13:00.

Zyrtarë amerikanë konfirmuan më herët për "FOX News" se Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA) kreu një fushatë të gjerë dezinformimi, e cila ishte pjesë e misionit të Uashingtonit për të shpëtuar pilotin amerikan që u rrëzua në Iran, raporton A2CNN.

Fushata e CIA-s përfshinte përhapjen e informacioneve brenda Iranit se forcat amerikane e kishin gjetur pilotin dhe po e transportonin në rrugë tokësore, duke ngatërruar forcat dhe udhëheqjen iraniane në përpjekjet e tyre për ta gjetur. Ndërsa autoritetet iraniane u përballën me këto dezinformata, inteligjenca amerikane arriti të lokalizonte pilotin dhe të lehtësonte një mision shpëtimi nga forcat speciale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos