
Zyrtarë amerikanë konfirmuan për "FOX News" se Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA) kreu një fushatë të gjerë dezinformimi, e cila ishte pjesë e misionit të Uashingtonit për të shpëtuar pilotin amerikan që u rrëzua në Iran, raporton A2CNN.
Kujtojmë që avioni F-15 u godit nga forcat iraniane në juglindje të Iranit.
Piloti, emri i të cilit nuk është bërë ende publik, ishte një nga dy anëtarët e ekuipazhit të F-15-së në momentin e rrëzimit. Një ekip ushtarak amerikan arriti të shpëtonte pilotin në fjalë brenda ditës, ndërsa anëtari i dytë i ekuipazhit mbeti i bllokuar në zonën malore për 36 orë para se të shpëtohej nga forcat amerikane.
Fushata e CIA-s përfshinte përhapjen e informacioneve brenda Iranit se forcat amerikane e kishin gjetur pilotin dhe po e transportonin në rrugë tokësore, duke ngatërruar forcat dhe udhëheqjen iraniane në përpjekjet e tyre për ta gjetur. Ndërsa autoritetet iraniane u përballën me këto dezinformata, inteligjenca amerikane arriti të lokalizonte pilotin dhe të lehtësonte një mision shpëtimi nga forcat speciale.
“Ishte skenari i ‘gjilpërës në kashtë’,” tha një zyrtar amerikan për FOX News. “Një amerikan i guximshëm, i fshehur brenda një honi në mal, i padukshëm për mjetet konvencionale, por i zbuluar përmes inteligjencës së CIA-s.”
Përveç fushatës së inteligjencës, misioni i shpëtimit përfshiu qindra pjesëtarë të forcave speciale, dhjetëra avionë luftarakë dhe helikopterë amerikanë.
(A2 Televizion)