Parlamenti iranian ka miratuar propozimin për mbylljen e ngushticës strategjike të Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Sipas agjencisë Reuters, vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit. Ngushtica ndodhet midis Iranit dhe Omanit dhe përmes saj kalon rreth 20% e kërkesës globale për naftë dhe gaz natyror, shkruan A2 CNN.
Megjithëse, vendimi nuk është ende zyrtar, komandanti i Gardës Revolucionare dhe deputeti iranian Esmail Kosari deklaroi për Young Journalist Club se mbyllja e ngushticës “është në agjendë dhe do të realizohet sa herë të jetë e nevojshme”.
Ndërkohë, Njësia Britanike për Tregtinë Detare (UKMTO) ka vlerësuar si të lartë kërcënimin ndaj anijeve tregtare amerikane në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, pranë kufijve iranianë.
Çfarë është Ngushtica e Hormuzit
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët ujore më strategjike në botë, që lidh Gjirin Persik me Detin Arabik.
Ajo ka një gjerësi prej rreth 50 kilometrash dhe është thelbësore për transportin global të naftës.
Pothuajse një e pesta e naftës që tregtohet ndërkombëtarisht kalon përmes kësaj ngushtice.
Ngushtica ndodhet ndërmjet Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke e bërë atë një pikë të nxehtë për tensione gjeopolitike.
Për shkak të rëndësisë së saj ekonomike dhe strategjike, Ngushtica e Hormuzit është shpesh në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. (A2 Televizion)