
Një sulm i armatosur ka tronditur këtë të martë një shkollë të mesme në Şanlıurfa të Turqisë, duke lënë të paktën 16 persona të plagosur, mes tyre nxënës dhe mësues. Ngjarja ndodhi në qytetin Siverek, në ambientet e shkollës profesionale “Ahmet Koyuncu”, ku një ish-nxënës i armatosur me pushkë gjahu hapi zjarr në mënyrë të pakontrolluar.
Sipas autoriteteve lokale, autori i ngjarjes, i lindur në vitin 2007, hyri në shkollë gjatë orëve të mëngjesit dhe qëlloi ndaj personave të pranishëm. Pas aktit, ai i dha fund jetës së tij në vendngjarje. Guvernatori i Şanlıurfa, Hasan Şıldak, konfirmoi se ndër të plagosurit ka nxënës, mësues dhe një efektiv policie.
Dëshmitarët raportojnë se disa nxënës u hodhën nga dritaret për t’i shpëtuar të shtënave, ndërsa forcat e sigurisë ndërhynë menjëherë për të evakuuar shkollën. Të plagosurit morën ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportuan në spitalin shtetëror për trajtim.
Ministria e Brendshme e Turqisë bëri të ditur se është nisur një hetim i gjerë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, që ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik. (A2 Televizion)