Një gjykatës i Gjykatës së Lartë Federale të Brazilit ka urdhëruar vendosjen në arrest shtëpie të ish-presidentit Jair Bolsonaro, me arsyetimin se ai ka shkelur në mënyrë të përsëritur masat parandaluese që i ishin caktuar më herët nga drejtësia. Lajmi është raportuar nga media e njohur braziliane O Globo.
Sipas gjykatësit Moraes, Bolsonaro ka "injoruar dhe nuk ka respektuar" vendimet e Gjykatës, duke sfiduar autoritetin e saj. Konkretisht, ai mori pjesë përmes një video-telefonate në një protestë të zhvilluar të dielën në plazhin e Copacabana-s, në zonën jugore të Rio de Janeiros, ku u mblodhën mijëra mbështetës të tij.
Kjo pjesëmarrje u konsiderua nga Gjykata si një shkelje e kushteve të mëparshme të lëna nga drejtësia, të cilat ndalonin ish-presidentin të komunikonte me të tjerë të hetuar apo të përfshirë në çështje ligjore që lidhen me sulmet ndaj institucioneve demokratike në Brazil. Vendimi për arrest shtëpie vjen në kuadër të hetimeve më të gjera që po zhvillohen ndaj Bolsonaros dhe disa aleatëve të tij, lidhur me përpjekjet për të minuar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2022 dhe organizimin e akteve që mund të përbëjnë kërcënim për rendin demokratik.
Masa e re ndaj Bolsonaros shihet si një sinjal i qartë nga drejtësia braziliane për të mbrojtur institucionet demokratike dhe për të garantuar që askush, përfshirë ish-udhëheqës të vendit, të mos qëndrojë mbi ligjin. (A2 Televizion)